Më shumë se 30 pasagjerë indianë pësuan gjakderdhje nga hunda dhe veshët, pasi pilotët harruan të rregullonin presionin e kabinës, thanë zyrtarët.
Fluturimi i Jet Airways 9W 697 nga Mumbai në Jaipur u kthye pak pas ngritjes. Avioni Boeing 737, i cili mbante 166 pasagjerë, u ul në mënyrë të sigurt dhe pa shkaktuar probleme serioze. Ministria e Aviacionit ka thënë se ekuipazhi i kabinës është pezulluar nga detyra në pritje të hetimit.
Lalit Gupta, një zyrtar i lartë i aviacionit në Indi, tha për gazetën Hindustan Times se ekuipazhi kishte harruar të aktivizonte mekanizmin që ruan presion e kabinës.
Kompania Jet Airways tha në një deklaratë se fluturimi i së enjtes në mëngjes ishte kthyer “për shkak të humbjes së presionit në kabinë” dhe kërkonte ndjesë për shqetësimin e shkaktuar ndaj pasagjerëve.
“Avioni B737 me 166 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit u ul në Mumbai, të gjithë udhëtarët zbritën nga avioni në një gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe u dërguan për të marrë ndihmën e parë”, thuhej në deklaratë.