Një balenë e ngordhur në bregun e Indonezisë është gjetur me mbetje plastike në stomak, përfshirë 115 gota. Ekipet e shpëtimit gjetën trupin e balenës 9.4 metra në afërsi të ujërave Kapota në provincën Sulawesi, sipas shefit të parkut kombëtar Wakatobi, Heri Santoso.
Mbetjet në stomak përfshinin 115 gota plastike, 4 shishe plastike, 25 qese plastike, një thes najloni dhe më shumë se 1.000 copëza plastike të tjera.
Shkaku i ngordhjes së balenës nuk dihet ende. "Edhe pse nuk kemi mundur të nxjerrim përfundimin e shkakut të ngordhjes, faktet që shohim janë me të vërtetë të tmerrshme,"-tha Dwi Suprapti, një koordinator i ruajtjes së specieve detare në WWF Indonesia.
Indonezia, një arkipelag prej 260 milionë banorësh, është ndotësi me plastikë i dyti më i madh në botë pas Kinës, sipas një studimi të botuar në revistën Science në janar.