Një përshkrim "sensual" i një mbretëreshe legjendare spartane që kryen marrëdhënie seksuale me një mjellmë është zbuluar në rrënojat e qytetit të lashtë romak të Pompeit.
Kjo është dëshmi e dashurisë së njerëzve në atë kohë për erotikën. Afresku i zbuluar rishtaz, që përshkruan një pjesë nga mitologjia klasike, u gjet në një dhomë gjumi në qytetin e shkatërruar nga shpërthimi i malit të Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit.
Ai përshkruan figurën e Ledës duke u mbarsur nga perëndia romake Jupiter, që ka marrë formën e një mjellme.
Muralja e mrekullueshme u zbulua të premten nga arkeologët gjatë punimeve për të forcuar strukturat e Pompeit pas shiut.
Pamjet e Ledës dhe të Jupiterit nuk ishin të rralla në Pompei, por drejtori i parkut arkeologjik Massimo Osanna vlerësoi zbulimin si të jashtëzakonshëm sepse artisti i kualifikuar që realizoi veprën e artit, e bëri të duket sikur Leda po vështronte këdo që hynte në dhomën e gjumit.
"Leda shikon spektatorin me shumë sensualitet, gjë që është absolutisht e theksuar,"-tha Osanna, për agjencinë italiane të lajmeve ANSA.
Afresku u gjet në një shtëpi të mrekullueshme, ku u zbulua një tjetër murale fantastike këtë vit.
Osanna u shpreh se pronari i shtëpisë duhet të ishte një tregtar i pasur që donte të mbushte shtëpinë e tij me art të frymëzuar nga mitet.