Përmbytjet pushtojnë edhe shkretëtirën. Në javët e fundit shirat e rrëmbyer kanë goditur rajonin e Lindjes së Mesme duke shkaktuar viktima në të gjithë gadishullin arab. Si pasojë 30 persona kanë gjetur vdekjen nga stuhitë e papritura që janë verifikuar në Arabinë Saudite, Kuvajt, Jordani dhe Iran.
Në Jordani kushtet ekstreme atmosferike kanë detyruar autoritetet të evakuojnë me urgjencë 4 mijë turistë në qytetin antik të Petrës. Në Kuvajt janë mobilizuar Ushtria dhe Garda Kombëtare për t’u ardhur në ndihmë banorëve.
Sipas parashikimeve, moti i keq do të vijojë edhe javën e ardhshme ndërkohë që edhe një ciklon po spostohet drejt rajonit. Pamjet e përmbytjeve tregojnë sesi rrugët e Riadit, kryeqytetit të Arabisë saudite janë transformuar në lumenj të vegjël dhe sistemet e kanalizimeve duken jashtë funksionit duke shkaktuar trafik dhe kaos në shumë rrugë kryesore.
Kjo situatë e rëndë si pasojë e shirave dhe përmbytjeve u verifikua edhe në Izrael, Liban dhe Siri gjatë ditëve të fundjavës.