Egjipti zbuloi një varr të lashtë, sarkofagë dhe artefakte në nekropolin e Thebanit të Al-Assasif, në qytetin jugor Luxor.
Në një ceremoni përpara tempullit të Mbretëreshës Hatshepsut, ministri i Antikiteteve, Halid el-Anani njoftoi se arkeologët francezë dhe egjiptianë kishin zbuluar “një varr të ri me piktura shumë të bukura”.
I vendosur mes varreve mbretërore në Luginën e Mbretërve dhe Luginën e Mbretëreshave, nekropoli Al-Assasif është vendi i varrimit të fisnikëve dhe zyrtarëve të lartë pranë faraonëve.
Ndër gjetjet në varr janë sarkofagë, statuja dhe rreth 1 000 ikona funerare të quajtura “Ushabtis”, të bëra prej druri, fijesh dhe balte.
Varri daton nga Mbretëria e Mesme, e cila përfshinte dinastitë 11 e 12 dhe i përkiste “Thaw-Irkhet-If”, mbikëqyrës mumjesh në Tempullin e Miutit në Karnak, sipas ministrisë.
“Arkeologët nga Instituti francez i Arkeologjisë Lindore dhe Universiteti i Strasburgut kanë zbuluar dy sarkofagë që datojnë nga dinastia e 18”, tha Anani në një konferencë shtypi.
Një nga këto dy përmban mbetjet e mumifikuara “të ruajtura mirë” të një gruaje të quajtur Thuya.
Autoritetet egjiptiane njoftojnë rregullisht zbulimet arkeologjike me bujë të madhe, edhe pse vendi shpesh akuzohet për mungesë rigoroziteti shkencor dhe për neglizhim të veprave antike që zotëron.
Vendet arkeologjike, veçanërisht në Luxor, e bëjnë Egjiptin një vend shumë joshës për turistët e huaj. I goditur nga trazirat që e mbështollën pas kryengritjes së vitit 2011, të cilat rrëzuan presidentin e vjetër Hosni Mubarak, sektori i turizmit këtë vit ka marrë një kthesë të fortë drejt rritjes.