Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka deklaruar se ka informacione për arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, por për këtë do të flasë në një moment tjetër.
“I di të gjitha detajet, plotësisht jam i informuar. Kur do të vij koha unë dhe ministri Spasovski do t’i themi të gjitha detajet e hetimit, edhe për pjesën e hetimeve brenda MPB-së, por edhe për pjesën e Prokurorisë Publike”, theksoi Zaev.
Më tej ai u shpreh se pasi të përfundojnë hetimet, do të jap hollësi.
“Këtë nuk mund ta bëj tani për shkak të respektimit të hetimeve dhe ligjit”, tha Zaev, informon agjencia INA.
Hetimet për Gruevskin po zhvillohen rreth asaj se kush dhe si e ka ndihmuar Gruevskin për të lënë territorin e Maqedonisë.
Në kuadër të këtij debati, shoqata dhe parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, por edhe përgjegjësi nga Qeveria.