Udhëheqësi venezuelian i opozitës, Juan Guaido deklaroi se ngarkesa e parë e ndihmës humanitare ka arritur në Venezuelë nga kufiri i saj jugor me Brazilin.
“Kjo është një arritje e madhe, Venezuela!”, shkruante zoti Guaido në Twitter të shtunën.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit që po udhëton me autokolonën e ndihmës i tha Zërit të Amerikës se ngarkesa me ushqim dhe artikuj mjekësorë nga qeveria amerikane dhe ajo braziliane, ishte mbajtur në një bazë ushtarake në Bao Vista të Brazilit.
Ndihma të tjera po vinin edhe nga Kolumbia, ku pati përplasje të shtunën mes trupave të Gardës Kombëtare venezueliane dhe banorëve që po zhbllokonin një urë që lidh Venezuelën me Kolumbinë për të lejuar ndihmën humanitare të hynte në Venezuelë nga Kolumbia.
Megjithë inflacionin e lartë dhe mungesat ushqimore, presidenti i kontestuar Nicolas Maduro ka refuzuar ofertat e ndihmave duke deklaruar se Venezuela nuk është vend “lypësish” dhe duke këmbëngulur se ndihma është hapi i parë i një pushtimi amerikan.
Por Guaido, që është vetëshpallur president dhe është njohur kalimtar nga Shtetet e Bashkuara, premtoi se do të siguronte lejimin e hyrjes së ndihmave në vend. Turma njerëzish ndenjën jashtë gjithë natën për të ndihmuar me shpërndarjen.
Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar agjencinë kolumbiane të imigracionit njoftoi se tre anëtarë të Gardës Kombëtare Venezueliane braktisën pozicionet e tyre të shtunën herët, para se të fillonin përpjekjet për të future ndihmat në Venezuelë. Opozita dhe vendet që mbështesin dërgimin e ndihmave, i kanë bërë thirrje ushtrisë venezueliane që të sfidojë urdhrat e Maduros për të bllokuar ndihmat.