Disa zjarre jashtë sezoni kanë përfshirë Suedinë dhe Norvegjinë duke alarmuar autoritetet se mund të gjenden para një tjetër vere të zhuritur në skandinavi, këtë vit.
Agjencia e mbrojtjes civile suedeze tha për agjencinë e lajmeve AFP se janë individualizuar deri më tani 10 vatra shqetësuese. Origjina e zjarreve ka shumë gjasa të ketë lidhje me aktivitetet e njerëzve si barbeky apo makineri pyjore. Por mungesa e shiut dhe temperaturat më të larta se zakonisht, nuk po ndihmojnë.
Vitin e kaluar, zjarret zhuritën më shumë se 25 mijë hektarë tokë në Suedi pas një pranvere jashtëzakonisht të thatë dhe korrikut më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në dy shekuj e gjysmë. Edhe Norvegjia ka regjistruar zjarre në pyje para sezonit për shkak të thatësirës dhe disa hektarë tokë janë zhuritur.
Zyrtarët thonë se kanë mësuar nga pësimi i vitit të kaluar. Por, tendenca e hershme e zjarreve nuk është e pranishme vetëm në skandinavi. Në të gjithë Evropën, numri i zjarreve është më i lartë këtë vit se mesatarja e 10 viteve të fundit.
Sipas Copernicus, shërbimit satelitor të komisionit evropian, ka patur një total prej 1207 zjarresh deri më 24 prill, krahasuar me 112 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për më tepër, agjencia ka regjistruar më shumë se 180 mijë hektarë të djegura krahasuar me 24 mijë hektarë vitin e shkuar.