Joe Biden, i jep fund spekulimeve duke shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara.
Me anë të këtij materiali të publikuar në “YouTube”, ish-nënpresidenti në mandatin e Barack Obama-s, bëri me dije se garon përherë të tretë për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Biden thotë në video se për kandidimin, mori shkas nga politikat e presidentit aktual të vendit, i cili barazoi supremacistët e bardhë që shpërndajnë urrejtje me ata që u ngritën kundër tyre.
“Ne jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi. Nëse ne i japim Donald Trumpit 8 vite në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe në mënyrë rrënjësore karakterin e këtij kombi. Unë nuk mund të lejoj që kjo të ndodhë”, u shpreh Joe Biden, kandidat demokrat.
Nën sloganin “Amerika është një ide”, 76-vjeçari hyn kështu në një garë të vështirë me 20 kandidatë brenda partisë Demokratike. Ai do të përpiqet të bindë elektoratin demokrat që të mbështesë kandidaturën e tij, në mënyrë që të përballet me presidentin në detyrë, Donald Trump. Megjithatë gara e Biden mund të dëmtohet ndjeshëm edhe nga akuzat për sjellje të pahijshme ndaj grave. Pavarësisht kësaj, figura e tij gëzon një reputacion të mirë dhe ka mbështetje të konsiderueshme nga populli amerikan.