Negociatorët për tregtinë të SHBA-së dhe Kinës mblidhen të premten në ditën dytë të bisedimeve, vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja ndaj produkteve kineze.
Uashingtoni i rriti tarifat nga 10 në 20 për qind ndaj importeve kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, ndërsa zëvendës kryeministri kinez Liu He dhe ekipi negociator amerikan pritet të rifillojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje tregtare.
Në një postim në twitter të premten Presidenti Trump shkruante se Shtetet e Bashkuara kanë humbur çdo vit 500 miliardë dollarë për shkak të marrëveshjes së çmendur me Kinën, siç shprehej ai.
Kina tha të premten se "ndjen keqardhje të thellë" lidhur me rritjen e tarifave dhe se do të marrë "masat e nevojshme mbi këtë çështje", por pa dhënë asnjë detaj se për çfarë bëhet fjalë.
Ndërkohë, bisedimet mes palëve do të vazhdojnë edhe të premten në Uashington.
Administrata Trump shpreson se tarifat e reja do ta detyrojnë Kinën të bëjë ndryshime në praktikat e saj tregtare, të subvencioneve dhe trajtimit të pronës intelektuale./VOA/