Forcat e policisë kanë hedhur gaz lotsjellës ndaj mijëra protestuesve dhe kanë ushtruar dhunë mbi ta pas një proteste të tensionuar në Hong Kong. Dhjetëra mijëra protestues mbajtën një tubim kundër qeverisë të shtunën duke shënuar javën e 12 të protestave në vend.
Pasi turma mbërriti përpara një stacioni policie gjatë mesditës, ata ngritën barrikada me shkopa bambuje dhe objekte plastike për tu përplasur më vonë për disa orë me forcat speciale të policisë.
Qindra forca policie u sulën drejt protestuesve duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për ti shpërndarë. Forca e përdorur nga policia është konsideruar jo proporcionale dhe abuzuese nga dëshmitarët.
Operacioni për shpërndarjen e protestuesve zgjati rreth 15 minuta pas të cilave rrugët mbetën të boshatisura. Në një nga muret e godinave përreth ishte shkruar : “Shpresat janë tek populli, ndryshimi nis me vuajtje”.
Protesta u zhvillua për të kundërshtuar vendosjen e llambave “inteligjente” të cilat kanë sensorë dhe kamera me qark të mbyllur. Qeveria pretendon se ato do të vendosen për të marrë të dhëna rreth cilësisë së ajrit, trafikur dhe motit por shumë protestues thonë se kjo është një përpjekje për të ndërhyrë në jetët private të njerëzve.
Më gjerësisht protestat janë zhvilluar për të vënë qeverinë e Hong Kongut nën presion për të tu tërhequr nga projektligji për ekstradimin e qytetarëve në Kinë dhe gjithashtu për ngritjen e një trupe të pavarur e cila do të hetojë dhunën e ushtruar nga policia dhe gjithashtu zgjedhjen e lirë të liderëve politikë të Hong Kongut.