Macron u shfaq optimist në nisje të samitit të G7, kur në një dalje përpara popullit francez theksoi se shpreson t’i bindë liderët më të fuqishëm të botës, që t’i japin fund luftës tregtare që po destabilizon rritjen ekonomike.
“Dua t’i bind të gjithë partnerët tanë se tensionet, sidomos ato tregtare, nuk janë të mirë për asnjë prej nesh. Nuk duhet të lejojmë një përshkallëzim të mëtejshëm dhe duhet të shmangim këtë luftë tregtare. Duhet të gjejmë mënyra të reja për të stimuluar rritjen ekonomike”, tha presidenti francez.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, Macron tha se do ti kërkojë liderëve botërore ndihmë për të luftuar me zjarret në Amazonë ndërsa qetësi kërkoi nga protestuesit e mbledhur në Biarritz të Francës. “Amazona është e mira jonë e përbashkët. Zjarret na prekin të gjithëve dhe neve më shumë se të tjerët në këtë takim. Të gjitha fuqitë botërore bashkë duhet të nisim një aksion jo vetëm për shuarjen e zjarreve por edhe për të investuar në këto pyje”, shtoi ai.
Takimin e parë, në resortin luksoz të Du Palais në rivierën franceze, presidenti Macron e kish rezervuar me homologun amerikan, Donald Trump.
“Ne kemi shumë të përbashkëta, unë dhe Emmanuel jemi miq për një kohë të gjatë, merremi vesh mirë. Mund të them se kemi një marrëdhënie speciale”, deklaroi Trump.
I pyetur se çfarë pret nga samiti i G7, Trump tha: “Deri tani jemi mirë. Do të arrijmë shumë këtë fundjavë”. Irani, ndryshimet klimatike dhe lufta tregtare pritet të dominojnë takimin 3 ditor të 7 vendeve më të industrializuara të botës. Samiti nisi mes protestash ndërsa qyteti bask i rivierës franceze, i njohur për kazinotë, hotelet luksoze dhe qytezën e yjeve botërore është rrethuar nën masa të rrepta sigurie.