VOA: Trump përpiqet të diskreditojë hetimet e Dhomës së Përfaqësuesve

Premte, 25 October 2019 15:27

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Presidenti Donald Trump ishte "tejet mbështetës" ndaj rreth 20 ligjvënësve konservatorë republikanë, të cilët një ditë më parë hynë me forcë gjatë një seance dëgjimore me dyer të mbyllura në kuadër të hetimeve për shkarkimin e presidentit, duke shkaktuar një vonesë të hetimeve me pesë orë.

"Ishte e shkëlqyer dhe çështja ishte kuptuar mirë prej tyre", tha zëdhënësja e zotit Trump, Stephanie Grisham për rrjetin televiziv Fox News. "Mendoj se kjo gjë tregoi mbështetje të plotë për presidentin", shtoi ajo.

Zoti Trump u ka kërkuar republikanëve që të jenë më të ashpër e të luftojnë kundër përpjekjeve për shkarkimin e tij. Ligjvënësit republikanë hynë me forcë në një nga dhomat e sigurta të Kongresit ku zhvillohen seancat dëgjimore edhe pse disa prej tyre kishin patur qasje gjatë hetimeve të nisura nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Ligjvënësit republikanë janë kundër formatit me dyert të mbyllura të seancave. Ata kërkuan që të publikohen dëshmitë e zyrtarëve diplomatikë dhe atyre të sigurisë kombëtare, të cilët kanë dëshmuar se si zoti Trump i kërkoi udhëheqësit të Ukrainës të hetojë kundështarin e tij kryesor për zgjedhjet e 2020-s Joe Biden dhe djali i tij, Hunter Biden. Ky i fundit ka shërbyer si anëtar bordi një kompani ukrainase të gazit natyror.

Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili drejton hetimet lidhur me veprimet e zoti Trump në raport me Ukrainën, ka thënë se dëshmitë e zbardhura do të publikohen. Ndërkohë sipas disa zyrtarëve në mesin e nëntorit do të fillojnë seancat e hapura dëgjimore. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton për të ngritur zyrtarisht akuzat ndaj Presidentit Trump, ai do të përballet me gjykimin në Senatin me shumicë republikane, ku shkarkimi i tij ka pak gjasa të ndodhë.

Manovra e republikanëve të mërkurën vonoi dëshminë e një zyrtareje të Departamentit të Mbrojtjes, Laura Cooper, zëvendës Ndihmës Sekretare për Mbrojtjen e ngarkuar me çështjet e Rusisë, Ukrainës dhe Euroazisë. Por ajo e përfundoi dëshminë e saj duke iu përgjigjur pyetjeve për rreth tre orë.

"Ai u lumturua që kjo gjë ndodhi", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Grisham duke iu referuar pikëpamjeve të zotit Trump rreth protestës së republikanëve.

"Ai e mbështet atë, ashtu siç duhet të ndodhë", shtoi ajo.

Më vonë zoti Trump shkruante në Twitter: "Faleminderit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që u treguat të ashpër, të zgjuar e që e keni kuptuar në detaje gjuetinë më të madhe të shtrigave në historinë amerikane. Ajo ka nisur prej kohësh, përpara se unë të zgjidhesha. Një farsë e vërtetë", shkruante ai.

Ditët e fundit zoti Trump i ka kritikuar republikanët të cilët ndonëse në numër të vogël, kanë mbështetur hetimin për shkarkimin e tij.

Të enjten Kongresi nuk zhvilloi pasi nderoi me një ceremony ligjvënësin Elijah Cummings, i cili vdiq fundjavën e kaluar.

Presidenti Donald Trump dhe përkrahësit e tij në Kongres po kërkojnë të minojnë përpjekjet e drejtuara nga demokratët për të mbledhur dëshmi që do të çonin në ngritjen e një padie për shkarkimin e presidentit. Kritikët thonë se këto përpjekje të republikanëve synojnë të heqin vëmendjen nga disa dëshmi të dhëna ditët e fundit në Kongres që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e administratës me Ukrainën dhe që e dëmtojnë presidentin.

Në një fjalim të mërkurën në Pensilvani, presidenti lavdëroi politikën e tij për energjinë dhe rritjen ekonomike të vendit, por e preku çështjen e hetimit shkarazi, si pjesë e një kritike të përgjithshme kundër demokratëve.

"Ata nuk na mposhtin dot në kutinë e votimit, prandaj përpiqen të na mposhtin me mënyrën e vjetër, që nuk është shumë e hijshme. Ata janë një grup njerëzish të këqinj," tha Presidenti.

Komentet erdhën disa orë pas një mëngjesi të trazuar në Kapitol, ku një grup ligjvënësish republikanë u përpoqën të hyjnë me forcë në sallën e Komisionit të Inteligjencës, ku po zhvillohej një dëshmi me dyer të mbyllura. Ligjvënësit nuk ishin anëtarë të komisioneve të kongresit që po zhvillonin hetimin dhe nuk kishin të drejtë të hynin, por ata argumentuan se çështja ishte tepër e rëndësishme dhe hetimet nuk mund të bëheshin me dyer të mbyllura.

"Ne po përpiqemi të kemi transparencë në këtë proces. Unë përfaqësoj afro një milion banorë të Floridës që më kërkojnë mendimet e mia për këtë proces. E megjithatë nuk mund t'u them atyre asgjë, përveç asaj që u është dhënë mediave", tha republikani Mike Waltz.

Për shkak të kësaj ngjarjeje, dëshmia e planifikuar u shty për disa orë.

Kritikët thonë se rrëmuja u krijua për të hequr vëmendjen e publikut nga dëmi që shkaktoi dëshmia e dhënë para ligjvënësve të martën nga ish ambasadori amerikan në Ukrainë Bill Taylor. Diplomati shumë i respektuar, i përzgjedhur në këtë post nga vetë Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, konfirmoi pohimin e një informatori se Presidenti Trump e kushtëzoi ndihmën amerikane për Ukrainën me gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në përpjekjet për të dëmtuar rivalin politik të zotit Trump.

"Në këta dhjetë muaj që kam në Kongres, kjo është dita ime më e shqetësuar deri më tani," tha demokrati Andy Levin.

Dëshmia e gjatë e zotit Taylor i bëri të heshtin përkohësisht edhe disa prej anëtarëve të partisë së vetë Presidentit Trump. Kjo shkaktoi zemërimin e presidentit, i cili u shpreh me një koment në Twitter se republikanët që nuk e mbështesin atë janë më të këqinj se demokratët.

Të mërkurën, një gjyqtar federal urdhëroi Departamentin e Shtetit të zhbllokojë dokumentet që lidhen me Ukrainën, duke përfshirë komunikimet midis Sekretarit Pompeo dhe avokatit personal të Presidentit Trump, Rudy Giuliani.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...