Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi se do të thellojë lidhjet ushtarake me Moskën, nëse Shtetet e Bashkuara nuk heqin embargon për shitjen Ankarasë të një avioni të rëndësishëm luftarak.
Paralajmërimi vjen përpara takimit të planifikuar për javën e ardhshme midis zotit Erodgan dhe Presidentit Donald Trump.
Turqia është e vendosur të blejë avionin Su-35, bombarduesin më të ri të Rusisë. Ajo tashmë ka provokuar alarm midis aleatëve të saj perëndimorë me blerjen e sistemit rus të raketave S-400.
"Kur blemë sistemin S-400, nuk i kërkuam leje askujt. Kështu që, nëse marrim një vendim, do t'i blejmë edhe avionët Su-35", tha Presidenti Erdogan të martën.
Ai la të kuptohet se një vendim përfundimtar për blerjen e avionëve rusë mund të jetë në duart e Uashingtonit. Erdogan bëri thirrje që Presidenti Trump të zhbllokojë shitjen Turqisë të aeroplanit luftarak amerikan F-35.
Embargoja e SHBA erdhi si kundërpërgjigje ndaj blerjes nga Ankaraja të sistemit rus S-400, për të cilin Uashingtoni thotë se kompromenton sistemet e armëve të NATO-s, veçanërisht teknologjinë e avionit F-35 të padiktueshëm nga radarët.
"Nëse çështja F-35 nuk zgjidhet, ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm," tha Erdogan.
Presidenti rus Vladimir Putin e priti zotin Erdoganin gjatë një panairi ajror në Moskë në muajin gusht, ku ishte ekspozuar edhe avioni Su-35.
Në tetor, e përditshmja turke Sabah, e cila ka lidhje të ngushta me qeverinë, njoftoi se Ankaraja ishte afër blerjes së 36 bombarduesve rusë.
Blerjet ushtarake në rritje të Turqisë nënvizojnë marrëdhëniet në zhvillim mes Putinit dhe Erdoganit. Por blerja e avionit Su-35 shihet si një hap që i ngre lidhjet ruso-turke në një nivel të ri, në dëm të marrëdhënieve së Ankarasë me NATO-n.
Këtë javë, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar mohoi me forcë çdo plan për të blerë avionë Su-35. Akar, ish shef i shtabit të ushtrisë turke, vlerësohet gjerësisht si një nga ministrat me më shumë simpati ndaj Uashingtonit.
Presion ndaj Uashingtonit
Komentet e zotit Erdogan të martën duket se nuk i përfillin mohimet e ministrit Akar. Analistët thonë se zoti Erdogan mund të përpiqet të përdorë blerjen e avionëve rusë në avantazh të tij për takimin e pritshëm të javës së ardhshme me Presidentin Trump.
Zoti Trump e ka ftuar Presidentin Erdogan në Uashington për një takim më 13 nëntor. Por Ankaraja ende nuk e ka konfirmuar takimin. Erdogan dënoi me forcë votimin muajin e kaluar në Kongresin e SHBA për të njohur si gjenocid vrasjet masive të armenëve nga turqit osmanë gjatë Luftës së Parë Botërore.
Kongresi e shtoi zemërimin e Ankarasë, duke marrë në shqyrtim një projektligj për sanksione kundër Turqisë për operacionin ushtarak të muajit të kaluar kundër milicisë kurde siriane, YPG.
Ankaraja e ka shpallur YPG-në si grup terrorist, por kjo milici ishte një aleate vendimtare në luftën e udhëhequr nga Uashingtoni kundër Shtetit Islamik.
Disa analistë thonë se hezitimi i Erdoganit për t'u takuar me Presidentin Trump vjen ngaqë çështja kryesore e axhendës është që Turqia të ngrijë blerjen e sistemit rus S-400 dhe të blejë në vend të tyre raketat amerikiane Patriot./VOA