Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të largohen nga Iraku, përderisa nuk shpaguhen për një bazë ajrore të ndërtuar atje. Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj rezolutës së miratuar nga parlamenti irakian, i cili i kërkoi të dielën qeverisë të largojë 5 mijë e 200 trupat amerikane që ndodhen aty.
Presidenti Trump u tha gazetarëve në avionin presidencial të dielën se Shtetet e Bashkuara kanë një bazë ajrore “jashtëzakonisht të shtrenjte” që kushton miliarda dollarë.
“Ne nuk largohemi derisa ata nuk paguajnë”, tha ai duke kërcënuar me sanksione “çfarë nuk i kanë parë kurrë më parë”, nëse Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të largohen “miqësisht” nga Iraku.
Shtetet e Bashkuara përdorin 12 objekte të ndryshme ushtarake gjithandej Irakut. Presidenti Trump nuk e saktësoi se për cilën bazë po fliste.
Parlamenti irakian kërkoi largimin e trupave amerikane, në shenjë proteste ndaj sulmit me dron në aeroportin e Bagdadit, që vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani.
Shumica shiite në parlament votoi për rezolutën nëpërmjet së cilës i bëhet thirrje qeverisë t’i japë fund marrëveshjes dypalëshe me koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja që parashikon qëndrimin e trupave në tokën irakiane.
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u shpreh skeptik se forcat amerikane do të dëboheshin. Ai tha për rrjetin televiziv “Fox News” se “Uashingtoni ka besim se populli irakian dëshiron që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë atje”./VOA