Drejt një partneriteti të ri midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar

Hënë, 03 February 2020 11:10

JOZEP BORRELL & MICHEL BARNIER

Më 31 janar 2020, Mbretëria e Bashkuar u largua nga Bashkimi Europian. Ne humbëm një anëtar të familjes sonë. Ishte një moment i trishtuar për ne, për qytetarët europianë, dhe në të vërtetë, për shumë qytetarë britanikë.

Sidoqoftë, ne gjithmonë kemi respektuar vendimin sovran të 52% të elektoratit britanik dhe tashmë shpresojmë të fillojmë një kapitull të ri në marrëdhëniet tona.

Duke lënë mënjanë emocionet, data 1 shkurt doli se ishte historike, por edhe jodramatike. Kjo është kryesisht falë Marrëveshjes së Tërheqjes që kemi negociuar me Mbretërinë e Bashkuar, e cila na mundësoi të sigurojmë “një Brexit të rregullt”. Të tillë që – të paktën tani për tani – minimizon përçarjen për qytetarët tanë, bizneset, administratat publike, si dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ranë dakord për një periudhë tranzicioni, të paktën deri në fund të vitit 2020, gjatë së cilës Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të marrë pjesë në Bashkimin Doganor dhe Tregun Unik të BE-së, si dhe të zbatojë ligjin e BE-së, ndonëse nuk është më një shtet anëtar. Gjatë kësaj periudhe, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu t’u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare të BE-së, siç e kemi sqaruar në një notë verbale për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Pra, me vendosjen e periudhës së tranzicionit, ekziston një shkallë vazhdimësie. Kjo nuk ishte e lehtë, duke pasur parasysh rëndësinë e detyrës. Duke lënë Bashkimin, Mbretëria e Bashkuar automatikisht, mekanikisht, ligjërisht, lë qindra marrëveshje ndërkombëtare të lidhura nga ose në emër të Bashkimit, në dobi të shteteve anëtare të tij, për tema të ndryshme si tregtia, aviacioni, peshkimi apo bashkëpunimi bërthamor civil.

Tani ne duhet të ndërtojmë një partneritet të ri midis BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kjo punë do të fillojë brenda disa javësh, sapo 27 vendet e BE-së të kenë miratuar mandatin negociues të propozuar nga Komisioni Europian, që përcakton kushtet dhe ambiciet tona për arritjen e partneritetit më të afërt të mundshëm me një vend i cili do të mbetet aleati, partneri dhe miku ynë.

BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar janë të lidhura nga historia, gjeografia, kultura, vlerat dhe parimet e përbashkëta dhe një besim i fortë në multilateralizmin e bazuar në rregulla. Partneriteti ynë i ardhshëm do të pasqyrojë këto lidhje dhe besime të përbashkëta. Ne dëshirojmë të shkojmë përtej tregtisë dhe të vazhdojmë të punojmë së bashku për sigurinë dhe mbrojtjen, fusha ku Mbretëria e Bashkuar ka përvoja dhe asete që përdoren më së miri si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët. Në një botë me sfida të mëdha dhe ndryshime, trazira dhe tranzicion, ne duhet të këshillohemi me njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojmë në mënyrë bilaterale dhe në forume kryesore rajonale dhe globale, të tilla si Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë, NATO apo G20.

Ndoshta është një klishe, por e vërteta themelore është se sfidat globale të sotme – nga ndryshimi klimaterik, deri te krimi kibernetik, terrorizmi apo pabarazia – kërkojnë përgjigje kolektive. Sa më shumë që Mbretëria e Bashkuar të jetë në gjendje të punojë përkrah BE-së dhe së bashku me partnerët në të gjithë botën, aq më të mëdha janë shanset tona për t’i trajtuar këto sfida në mënyrë efektive.

Në thelb të projektit të BE-së është ideja që ne jemi më të fortë së bashku; që bashkimi i burimeve dhe iniciativave tona është mënyra më e mirë për të arritur qëllimet e përbashkëta. Brexit-i nuk e ndryshon këtë dhe ne do të vazhdojmë ta çojmë këtë projekt përpara si 27 vende.

Së bashku, 27 shtetet anëtare do të vazhdojnë të formojnë një treg unik me 450 milionë qytetarë dhe më shumë se 20 milionë biznese.

Së bashku, ne mbetemi blloku më i madh tregtar në botë.

Së bashku, 27 vende, ne jemi ende donatori më i madh në botë i ndihmës për zhvillim.

Partnerët tanë mund të jenë të sigurt se ne do t’i qëndrojmë besnikë një agjende ambicioze, që sheh larg – qoftë për tregtinë dhe investimet, veprimet klimatike dhe digjitalizimin, lidhshmërinë, sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit, të drejtat e njeriut dhe demokracinë, apo mbrojtjen dhe politikën e jashtme.

Ne do të vazhdojmë të jemi në lartësinë e angazhimeve tona. Ne do të vazhdojmë t’u përmbahemi marrëveshjeve që na lidhin me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe do të vazhdojmë të hartojmë korniza bashkëpunimi shumëpalëshe në të gjithë botën.

Bashkimi Europian do të vazhdojë të jetë një partner, të cilit mund t’i besoni. Një mbrojtës i palëkundur i multilateralizmit të bazuar në rregulla, që punon me partnerët tanë për ta bërë botën më të sigurt dhe më të drejtë.

*Josep Borrell është përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian

*Michel Barnier është shefi i UKTF-së

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...