Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se gjatë një operacioni kundër terrorizmit në Jemen është vrarë lideri i organizatës terroriste Al-Kaeda në Gadishullin Arabik, Qasim al-Rimi, transmeton Anadolu Agency (AA)
Në një deklaratë me shkrim Shtëpia e Bardhë njoftoi se “SHBA me urdhër të presidentit Donald Trump zhvilloi një operacion kundër terrorizmit në Jemen, ku u vra themeluesi dhe lideri i organizatës terroriste Al-Kaeda në Gadishullin Arabik, Qasim al-Rimi”.
“Rimi i ishte bashkuar Al-Kaeda-s në vitet 1990 dhe ka punuar me Osama bin Laden-in. Organizata terroriste Al-Kaeda nën udhëheqjen e Rimi-t në Gadishullin Arabik ka kryer sulme të pandërgjegjshme kundër civilëve në Jemen. Gjithashtu kjo organizatë ka kryer edhe shumë sulme kundër SHBA-së dhe forcave tona”, thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratë theksohet se vrasja e al-Rimit në operacionin në fjalë do të dobësojë praninë e Al-Kaeda-s në Gadishullin Arabik dhe në të gjithë botën dhe se është bërë një hap përpara në eliminimin e këtyre organizatave që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së.
“Me vrasjen e Rimi-t interesat tona dhe aleatët tanë janë më të sigurtë. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë popullin amerikan duke ndjekur gjurmët dhe duke eliminuar këto terroristë që përpiqen të na dëmtojnë”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.