Vdes Li Wenliang, mjeku kinez 34 vjeçar që kishte dhënë alarmin e parë për shpërndarjen e koronavirusit, por që nuk u dëgjua nga autoritetet. Lajmin e ka bërë me dije vetë spitali i Wuhan në një deklaratë, ku mjeku qëndronte i shtruar pas infektimit.
Li Wenliang kishte zbuluar në dhjetor 7 raste të një virusi që i kujtonte Sarsin në spitalin e Wuhan ku ai punonte. Ai ishte përpjekur por pa sukses, të lajmëronte kolegët dhe autoritetet e spitalit për rastet e dyshuara, por ata i kishin thënë që duhet të heshte për këto raste.
Vdekja e doktorit kinez, i cili u përpoq të paralajmëronte rreth shpërthimit të koronavirusit ka shkaktuar një nivel të paprecedentë të zemërimit publik dhe hidhërim në Kinë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Li Wenliang, humbi jetën pasi u infektua me virusin në fjalë teksa trajtonte pacientë në Wuhan.
Ndërkohë ka pasur akuza kundër qeverisë për minimizimin e ashpërsisë së virusit dhe se fillimisht u përpoqën ta mbanin atë sekret. Vdekja e doktor Li-së e ka nxitur edhe më tej këtë duke hapur diskutime rreth mungesës së lirisë së fjalës në Kinë. Grupi kundër korrupsionit në Kinë është shprehur se do të hapë një hetim lidhur me këtë cështje. Ndër të tjera numri i të vdekurve dhe i të infektuarve vazhdon të rritet. Komisioni kombëtar shëndetësor kinez ka përditësuar numrin e të vdekurve nga koronavirus, duke regjistruar 636 viktima ndërsa numri i të prekurve shkon në më shumë se 30 mijë. Rastet e konfirmuara sipas përditësimit të fundit janë 31.161.
Province më e madhe e goditur mbetet ajo e Hubei, që ka regjistruar 69 viktima në reja në 24 orët e fundit. Nga të infektuarit 4800 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.