Numri i vdekjeve nga shpërthimi i koronavirusit të ri (COVID-19) në Iran është rritur në 724.
Gjithsej 113 njerëz kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, ndërsa janë shfaqur 1.209 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara në 13.938, tha televizioni shtetëror iranian duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour.
Ndërkaq, 4.590 persona në total janë liruar nga spitalet pas shërimit nga virusi, shtoi Jahanpour.
Rasti i parë i koronavirusit në vend u konfirmua në provincën Qom më 19 shkurt.
Krahas Kinës, Italisë dhe Koresë së Jugut, Irani gjendet në mesin e vendeve më të prekura nga virusi.
Si pjesë e përpjekjeve të saj për të parandaluar përhapjen, Teherani ka ndërmarrë disa masa, duke përfshirë mbylljen e të gjitha shkollave dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke anuluar ngjarjet sportive dhe duke ndaluar zyrtarët qeveritarë të largohen nga vendi.
Kujtojmë se pas shfaqjes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në rreth 150 vende dhe territore, duke shkaktuar mijëra të vdekur. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.//AA