Kreu i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borell paralajmëroi kundër rrezikut që Bjellorusia të kthehet në një “Ukrainë të dytë” duke e vlerësuar të domosdoshme një marrëveshje me presidentin, Alexandre Loukachenko, në një intervistë të publikuar sot nga e përditshmja spanjolle “El Pais”.
BE hodhi poshtë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi, goditur nga një lëvizje protestash pas rizgjedhjes së kundërshtuar të Lukashenkos i cili, në pushtet që prej 26 vjetësh, krenohet me mbështetjen e Moskës.
“Bashkimi Europian nuk ka qëllim ta konvertojë Bjellorusinë në një Ukrainë të dytë”, konfirmoi Borrel, duke iu referuar mosmarrëveshjeve me Rusinë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
“Tensioni mes Europës dhe Rusisë është zgjidhur me armë zjarri, dhunë dhe shpërbërje të territorit të Ukrainës që ende zgjat. Problemi i Bjellorusisë sot nuk është të zgjedhësh midis Rusisë dhe Europës, por është të zgjedhësh mes lirisë dhe demokracisë “, shtoi ai.
Borell nënvizoi se duhet vazhduar dialogu me presidentin Lukashenko, duke e krahasuar situatën e tij me atë të homologut venezuelian, Nicolas Maduro, gjithashtu i përballur me një lëvizje kontestash të shtypura nga pushteti.
“Maduro dhe Lukashenko janë në të njëjtën situatë. Ne nuk e pranojmë që ata u zgjodhën në mënyrë të ligjshme. Sidoqoftë, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ata kontrollojnë qeverinë dhe ne duhet të vazhdojmë të merremi me ta, megjithëse nuk e njohim jo legjitimitetin e tyre demokratik “, theksoi kreu i diplomacisë europiane.
Opozita bjelloruse kërkoi sërish një manifestim të madh këtë të dielë për të mbajtur presionin kunrë presidentit që ka vendosur ushtrinë në gjendje alarmi.