Një gjyq i nisur që para tri vitesh ka përfunduar në Vjenë me një vendim befasues.
Ish-ministri i Financave i Austrisë Karl-Heinz Grasser (FPÖ), i cili i përkiste qeverisë së kancelarit Wolfgang Schüssel midis 2000 dhe 2007, u dënua me tetë vjet burg nga Gjykata Rajonale e Vjenës.
Karl-Heinz Grasser u shpall fajtor të premten për përvetësim, marrje ryshfeti dhe falsifikim të provave në një marrëveshje për të shitur mijëra apartamente në pronësi publike, shkruajnë mediat austriake.
Gjykata në Vjenë tha se Grasser ishte i përfshirë në një skemë mashtrimi prej më shumë se 9 milionë euro, përcjell albinfo.at.
Grasser u bë ministri më i ri i financave në historinë e vendit, në vitin 2000. Çështja përfshinte 14 të pandehur që përballen me një sërë akuzash, të cilat përfshinin pastrim parash, mashtrim dhe falsifikim të provave.
Gjykata tha se Grasser dhe një ndërmjetës kaluan informacionin në lidhje me një ofertë gjatë një skeme për të privatizuar 60,000 apartamente, që nga ana tjetër i mundësuan një rivali të paraqiste një ofertë pak më të lartë fituese.
Tenderi u fitua nga një konsorcium për vlerën 961 milionë euro në vitin 2004, ndërsa apartamentet vlerësoheshin sa dyfishi i kësaj shume. Gjykata thotë se fituesit e tenderit kanë paguar 1% të vlerës, pra 9.6 milionë euro, për ish-Sekretarin e Përgjithshëm të partisë FPO Walter Meischberger dhe lobuesit, Peter Hochegger, të cilët gjithashtu janë dënuar me burg. Në këtë çështje janë përfshirë dhe 14 persona të tjerë.
Këto para u ndanë në tre llogari bankare në Lichtenstein, tha gjykata.Vendimi u bazua në qindra deklarata të dëshmitarëve së bashku me thirrjet telefonike të përgjuara, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Gjykatësja Marion Hohenecker tha: “Ata që bëjnë biznes sinqerisht nuk kanë nevojë për llogari në Lichtensteinit”.
Ajo shtoi se suksesi i ofertuesit fitues “u arrit me ryshfet dhe ishte i mundur vetëm për shkak të abuzimit të qëllimshëm të autoritetit” nga ish-ministri i financave.
Avokati i Grasser e përshkroi vendimin si një “gjykim të gabuar” dhe tha se një apel do të bëhej në Gjykatën e Lartë.