Kriminelët shqiptarë po luajnë gjithnjë e më shumë rol udhëheqës në krimin e organizuar në Amsterdam, sipas një raporti nga policia. Ata janë të angazhuar kryesisht në trafikimin e kokainës, por edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe mashtrime me pronat.
Sipas policisë, këta kriminelë shqiptarë udhëheqin importin e kokainës nga Amerika e Jugut, transportimin nëpërmjet portit të Roterdamit dhe shpërndarjen e mëtejshme në vendet e tjera evropiane nga Amsterdami. Përveç Holandës, shqiptarët janë gjithashtu shumë aktivë në tregtinë e drogës në Britaninë e Madhe.
Numri i kriminelëve shqiptarë që veprojnë në botën e krimit të Amsterdamit vazhdon të rritet, sipas policisë.
Po ashtu këto grupe kriminale po përdorin edhe më shumë armët luftarake për të lartë hesapet mes tyre.
“Vrasjet në Amsterdam gjatë viteve të fundit janë të gjitha të lidhura me tregtinë e kokainës. Këto vrasje zakonisht kryhen nga banorët e rinj të Amsterdamit dhe viktimat zakonisht janë banorë të rinj të Amsterdamit”, theksohet në raportin e policisë.
Sa i përket vrasësve gjithashtu thuhet se ata janë vrasës me pagesë.
“Ekziston edhe një rrjet i gjerë ndërmjetësish dhe ekzekutuesish. Të gjithë njerëzit që kanë punësuar një vrasës me pagesë janë të përfshirë në tregtinë e kokainës”
Më parë gjatë këtij viti shefi i policisë së Amsterdamit, Pieter-Jaap Aalbersberg ngriti shqetësimin rreth autorëve të vrasjeve, duke thënë se po përfshihen edhe amatorë (të rinj dhe në moshë), të cilët mund të vrasin dikë për më pak se 3 mijë euro.