Siguria e Kabulit në dorë te njerëzve të Al-Kaides

Premte, 20 August 2021 08:08

 

Nga Zëri Amerikës-

Talibanët ia kanë lënë në dorë sigurinë e kryeqytetit afgan, Kabul, anëtarëve të lartë të Rrjetit Hakani, i cili ka lidhje të ngushta me grupet e huaja xhihadiste, përfshirë edhe me al-Kaidën.

 

Zyrtarët e agjencive perëndimore të zbulimit thonë se ky fakt është alarmues dhe bie ndesh me zotimet e talibanëve për të ndjekur një rrugë më të moderuar se sa kur sunduan vendin nga 1996-2001.

Kjo situatë gjithashtu lë të hapur mundësinë që al-Kaida të mirëpritet në Afganistan, gjë që është në kundërshtim me premtimet e bëra nga udhëheqësit talibanë gjatë bisedimeve diplomatike në Katar me zyrtarët amerikanë vitin e kaluar, për të mos lejuar që vendi të kthehet përsëri në një strehë të sigurt për xhihadistët e huaj.

Të enjten, Abdullah Abdullah, kryetar i Këshillit të Pajtimit Kombëtar të Afganistanit, një grup me figura të shquara dhe kryepleq fisnorë të përfshirë në bisedimet e Katarit, u takua me Khalil al-Rahman Haqqani dhe shoqëruesit e tij në Kabul. Zoti Abdullah më pas tha publikisht se Khalil al-Rahman Haqqani do të mbikëqyrte sigurinë në kryeqytetin afgan dhe se kishte dhënë garanci se ai “do të punonte shumë për të garantuar sigurinë e duhur për qytetarët e Kabulit”.

Departamenti Amerikan i Thesarit e ka identifikuar Khalil al-Rahman Haqqanin si terrorist global në shkurt 2011, duke ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion që çonte në kapjen e tij. Emri i tij është gjithashtu në listën terroriste të Kombeve të Bashkuara.

Takimi midis zotit Abdullah dhe Khalil al-Rahman Haqqanit u zhvillua disa orë para se talibanët të shpallnin formimin e një Emirati Islamik të Afganistanit.

“Fakti që Khalil al-Rahman Haqqani është në krye të sigurisë në Kabul është tronditës,” tha një zyrtar i zbulimit britanik për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti. “Rrjeti Hakani dhe al-Kaida kanë një histori të gjatë së bashku; mund të argumentohet se at janë të ndërthurur bashkë dhe nuk ka shumë gjasa që t’i ndërpresin lidhjet”.

Diplomati i lartë britanik në pension Ivor Roberts i tha Zërit të Amerikës se të vësh anëtarët e rrjetit Hakani për të mbikëqyrur sigurinë e Kabulit është si të vësh “dhelprën të ruajë kotecin e pulave”.

Zoti Roberts, këshilltar i lartë në Projektin Kundër Ekstremizmit, një rrjet jofitimprurës që studion grupet ekstremiste, tha se ishte i befasuar nga ky veprim. “Mendova se, nga pikëpamja imazhit, talibanët do të tregoheshin pak më të zgjuar. Por, ata po prezantohen me elementët më të këqij të koalicionit të tyre, gjë që dërgon një sinjal të tmerrshëm për gratë, vajzat dhe shoqërinë civile. Mendoj se rrit mundësinë që Afganistani të bëhet përsëri inkubator për terrorizmin ndërkombëtar”.

Ai shton, “Unë nuk mendoj se ata do t’i ndërpresin ndonjëherë lidhjet me al-Kaidën. Ata janë të ndërlidhur ngushtë dhe ashtu kanë qenë gjithmonë”.

Në një marrëveshje që administrata e Presidentit amerikan Donald Trump arriti me talibanët në shkurt 2020, udhëheqësit e këtij grupi ranë dakord të “mos lejojnë asnjë nga anëtarët e tij, apo individë ose grupe të tjera, përfshirë al-Kaidën, të përdorin tokën e Afganistanit për të kërcënuar sigurinë e Shtetet e Bashkuara dhe aleatëve të tyre”.

Osama bin Laden, themeluesi i al-Kaidës, drejtoi nga baza e tij në Afganistan sulmet terroriste të shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington, të cilat ishin shkaku për ndërhyrjen ushtarake 20 vjet më parë, të udhëhequr nga SHBA në këtë vend të Azisë Qendrore.

Të hënën, në fjalimin drejtuar vendit, Presidenti Biden tha se SHBA e kishin përmbushur synimin e ndërhyrjes në Afganistan: kundërpërgjigje ndaj atyre që sulmuan Amerikën më 11 shtator 2001 si dhe për të garantuar që al-Kaida nuk do ta përdorte më Afganistanin si bazë për sulme të tjera ndaj SHBA.

Rrjeti Hakani konsiderohet degëzim i dalë nga grupi i talibanëve, por vepron me autonomi më të madhe se fraksionet e tjera. Që nga themelimi i tij në vitet 1980 si forcë anti-sovjetike, ky rrjet është integruar më shumë me talibanët, thonë ekspertët e anti-terrorizmit.

Udhëheqësi i rrjetit, Sirajuddin Haqqani, është njëkohësisht një nga drejtuesit më të lartë të talibanëve dhe është nipi i Khalil al-Rahman Haqqanit, i cili aktualisht ka marrë detyrën e sigurisë në kryeqytetin afgan.

Rrjeti Hakani është akuzuar, ose ka marrë përgjegjësi në të kaluarën për disa nga sulmet më të përgjakshme në Afganistan, përfshirë sulmin në 2008 në hotelin luksoz Serena, sulmin në 2012 nga një grup militantësh që hodhën veten në erë në bazën amerikane në Khost, si dhe shpërthimin në 2017 pranë ambasadës gjermane në Kabul që la 96 të vdekur.

Gjatë kryengritjes kundër sovjetikëve në vitet 1980, grupi Hakani ishte ndër të parët që mirëpriti ardhjen e luftëtarëve të huaj myslimanë, ndër to Osama bin Ladenin, themelues i al-Kaidës. Dy grupet krijuan lidhje mes tyre, sipas analistëve Don Rassler dhe Vahid Brown.

Sipas ekspertit Peter Bergen, rrjeti Hakani dhe al-Kaida drejtonin së bashku kampe stërvitorre në provincën Vaziristani Verior në Pakistan, pas ndërhyrjes amerikane në Afganistan. Po ashtu rrjeti Hakani ndihmoi bin Ladenin të arratisej në Pakistan kur po i afroheshin forcat amerikane në 2001.

Zyrtarët talibanë këmbëngulin se nuk ekzistojnë më lidhje me al-Kaidën, megjithëse pohojnë se ekzistojnë disa simpati të vjetra.

I pyetur të dielën mbi rrezikun e rikthimit të al-Kaidës në Afganistan, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se është në interesin vetjak të Afganistanit të mos strehojë grupe terroriste që i bëjnë keq Perëndimit.

“E dinë ç’u ndodhi herën e fundit që strehuan terroristë që sulmuan Amerikën,” tha zoti Blinken në intervistë me kanalin NBC

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...