Thellohet më tej skandali i dokumenteve të klasifikuara të gjetura në ambientet private të presidentit amerikan, Joe Biden.
Ky i fundit pranoi të enjten se të tjera dokumente sekrete janë gjetur në banesën e tij private në Delaware, në garazhin ku mbante makinën Corvette.
Ndërkohë në konferencën për shtyp të Biden, gazetari i Fox News, Peter Doocy e ‘gozhdoi’ kreun e shtetit me pyetjen e tij.
“Makina ime Corvette është e kyçur në një garazh. OK? Kështu që dokumentet nuk ishin në rrugë,” reagoi presidenti.
“Aha, pra ishin në një garazh të kyçur?” insistoi gazetari.
“Po, njësoj si makina ime,” deklaroi Biden.
Të mërkurën u raportua se të tjera dokumente janë gjetur në qendrën ‘Penn Biden’. Por ajo që e bën më të rëndë këtë histori është lidhja me donacionet kineze.
E shpjeguar me pak fjalë: kur Joe Biden u largua nga posti i zëvendëspresidentit, ngriti një institut kërkimor pranë Universitetit të Pensilvanit. Instituti në fjalë mori emrin ‘Penn Biden Center’.
Që kur Universiteti i Pensilvanisë lajmëroi ngritjen e kësaj qendre, pati një vërshim donacionesh anonime. Mbi të gjitha binin në sy donacione të shumta nga dhurues anonimë kinezë. Bëhet fjalë për të paktën 54.6 milionë dollarë.
Kjo qendër, ku u punësuan kryesisht të larguarit nga administrata e presidentit Barack Obama, u kthye në një ‘fole të parave të errëta’. Të punësuarit e kësaj qendre merrnin donacionet, ndërsa prisnin rikthimin në pushtet. Mes të punësuarve ishte edhe Antony Blinken, që më vonë do bëhej Sekretar i Shtetit.