Duke folur për NBC, ai deklaroi se do të ketë një hetim të plotë nga Kongresi Amerikan.
Komentet e tij vijnë pasi Republikanët kontrollojnë shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve.
Jordan është kryetar i një komiteti të posaçëm që do të hetojë përdorimin e agjencive federale amerikane si armë politike.
“FBI ka spiunuar fushatën e presidentit, ka ndryshuar provat përpar gjykatës FISA, ka paguar një burim njerëzor konfidencial edhe pse e dinin se burimi njerëzor konfidencial i kishte gënjyer.
FBI ka shënjestruar prindër. FBI ka bërë një sërë gjërash. Dua të them, FBI bastisi shtëpinë e një ish-presidenti 91 ditë përpara zgjedhjeve, mori telefonin e një anëtari të Kongresit, e kështu me radhë.
Dhe më pas, vetëm javën e kaluar, mësuam se një ish-agjent i FBI-së, agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në divizionin e Nju Jorkut, po merrte para nga një rus. Dhe kjo nuk është vetëm kaq- dua të them se ky ishte agjenti special i ngarkuar me kundërzbulimin në Nju Jork, duke marrë para nga Oleg Deripaska- jo ndonjë rus çfarëdo”, tha ai, duke iu referuar skandalit të Charles McGonigal, ku është i implikuar kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Së fundmi, Dhoma e Përfaqësuesve ka krijuar një komitet të posaçëm, që do të hetojë përdorimin e agjencive federale si armë kundër të djathtëve.
Anëtarja e këtij komiteti, ligjvënësja e fuqishme republikane, Elise Stefanik ka folur për portalin konservator Breitbart.
Stefanik, që drejton Konferencën Republikane, tha se pret që ky komitet të bëjë një punë shumë të rëndësishme.
Komiteti, që drejtohet nga republikani Jim Jordan, do të ketë autoritet të gjerë për të hetuar Departamentin e Drejtësisë, agjencitë e inteligjencës si FBI dhe CIA, por edhe kompani private si Twitter.
Komiteti do ketë një buxhet të jashtëzakonshëm dhe do të hetojë akuzat se këto agjenci kanë dhunuar të drejtat civile.
“Merrni FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë sa për fillim”, tha Stefanik.
“Ekziston një listë e gjatë e abuzimeve dhe shënjestrimit të paligjshëm, jo vetëm amerikanëve të profilit të lartë që janë konservatorë apo republikanë, por edhe amerikanë të zakonshëm,” tha ajo, duke shtuar se “së fundmi ishte fakti që një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së, ish-kreu i kundërzbulimit në Nju Jork, sapo u shpall fajtor për pranimin e qindra-mijëra dollarëve nga Rusia”.
“Këto agjenci duhet t’i nënshtrohen transparencës dhe reformimit dhe ky komitet i përzgjedhur do të jetë një nga mjetet e shumta që kemi si shumicë për të arritur tek e vërteta dhe për t’u siguruar që populli amerikan të mësojë të vërtetën”, tha Stefanik.
“Shteti i thellë (deep state) duhet të çrrënjoset nga bërthama e këtyre agjencive. Ai po kulmon me politizimin dhe mënyrën se si Shtëpia e Bardhë e Biden i ka përdorur këto agjencitë si krahu i tyre politik dhe si një armë politike”.
Komiteti do përbëhet nga 12 republikanë dhe 9 demokratë