Manjati rus i aluminit, Oleg Deripaska e vlerësonte shumë çdo informacion komprometues për kundërshtarin e tij, me të cilin ishte në konflikt për aksionet.
Zyra e Prokurorit të SHBA për Distriktin Jugor të Nju Jorkut e akuzon atë për anashkalim të sanksioneve dhe komplot për pastrim të fondeve. Zoti Deripaska përmendet pothuajse në çdo paragraf të dokumentit prej 21 faqesh. Aktakuza, e nënshkruar nga prokurori Damian Williams, thotë se përpjekjet për të hequr Deripaskën nga lista e sanksioneve të SHBA janë bërë nga McGonigal në vitin 2019. Pagesa ishte 25 mijë dollarë në muaj përmes një firme guaskë.
Rebecca Davis O’Brien, që mbulon zbatimin e ligjit dhe gjykatat në Nju Jork, shkroi: “Për vite me radhë, zoti Deripaska, 55 vjeç, ka punësuar një ushtri të vogël lobistësh, avokatësh, konsulentësh dhe fiksuesish për të mbrojtur biznesin dhe interesat e tij personale dhe për të siguruar akses në vendet perëndimore”.
Për vitin 2021, zyra e prokurorit federal të Nju Jorkut paditi një numër prej këtyre individëve për ndihmën e dhënë për ët anashkaluar sanksionet.
Emri i personit kundër të cilit ish-agjenti i FBI, sigurisht jo pa ndihmën e kolegëve të tij, supozohej të mblidhte informacione të ndjeshme, nuk bëhet i ditur. Në dokument ai shfaqet me emrin e koduar Oligarku 2. Megjithatë, pas këtij formulimi, mund të merret me mend se bëhet fjalë për Vladimir Potanin, i cili është kundërshtar i zotit Deripaska në mosmarrëveshjen afatgjatë për aksionet në kompaninë Norilsk Nickel.
Nga aktakuza nuk është e qartë se si zoti McGonigal hyri në radarin e zotit Deripaska.
Sipas aktakuzës kundër zotit McGonigal, ndërsa ai ishte ende duke punuar për byronë në vitin 2018, Sergey Shestakov- një ish-diplomat dhe përkthyes sovjetik dhe rus, i cili është paditur për këtë rast, e prezantoi zotin McGonigal me email me një punonjës të zotit Deripaska. Ai person identifikohet në akuzë si Agjenti 1 dhe përshkruhet si një ish-diplomat sovjetik dhe i Federatës Ruse.
Në vitin 2017, Associated Press botoi një artikull duke pretenduar se zoti Deripaska i ka paguar 10 milionë dollarë lobistit amerikan Paul Manafort në vitet 2007-2009 për të promovuar interesat e tij në Shtetet e Bashkuara. Pothuajse në të njëjtën kohe, NBC publikoi një lajm për një hua prej 60 milionë dollarësh që strukturat e Deripaskës dyshohet se u kanë dhënë kompanive të lidhura me Manafort.
Zoti Deripaska u pasurua në vitet ’90, kur pati një luftë për kontrollin e burimeve të mëdha nëntokësore të Bashkimit Sovjetik dhe fitoi një reputacion si njeri i pamëshirshëm dhe me emër të keq.
Ai gjithashtu ndërtoi marrëdhënie me politikanë dhe figura të tjera kyçe në Perëndim, veçanërisht në Britani, Europë dhe SHBA, duke përfshirë edhe mikpritësit e Forumit Ekonomik Botëror në Davos