CNN shkruan se ky grup është mbështetur nga konservatorët amerikanë, duke theksuar se personalitete të tilla të së djathtës amerikane, si Mike Pence, Mike Pompeo apo John Bolton kanë qenë të pranishëm në konferencat e përvitshme të grupimit MEK.
“Në harkun kohor të një jave, MEK muajin e kaluar dëshmoi një bastisje të rrallë në bazën e saj të madhe në Shqipëri, ku ka selinë, si dhe një ndalim të shkurtër të një mitingu të planifikuar vjetor në Francë, ku ka mbajtur aktivitete të tila për disa vite. MEK beson se këto veprime ishin pjesë e një politike qetësimi të regjimit në Teheran, tha një përfaqësues i lartë nga grupi,” raporton CNN.
“Irani e mirëpriti bastisjen dhe javën e kaluar një zyrtar iranian tha se disa nga hard disqet e sekuestruara mbërritën në vendin e tij dhe se ekspertët iranianë po punonin për rikuperimin e të dhënave për të identifikuar agjentët e grupit dhe qelizat sabotuese, sipas medieve shtetërore iraniane. MEK i ka bërë thirrje Shqipërisë të sqarojë nëse ndonjë nga hard disqet ishte dërguar me të vërtetë në Iran,” thekson CNN.
Sipas ekspertëve, bastisja në Shqipëri ka lidhje me bisedimet bërthamore që mund të mbahen me Iranin.
“Është i paqartë nëse aktiviteti i fundit diplomatik mes Iranit dhe armiqve të tij është drejtpërdrejt përgjegjës për zhvillimet në Francë apo në Shqipëri, por analistët thonë se ato nuk ka gjasa që të jenë të rastësishme, veçanërisht pasi shtetet perëndimore shpresojnë të rifillojnë bisedimet bërthamore me Iranin”, raporton CNN.