BILD
Tërmet politik në Holandë!
Partia PVV e populistit të djathtë, Geert Wilders, doli si forca më e fortë në zgjedhjet parlamentare. Sipas projeksionit më të fundit të mëngjesit të së enjtes, ai u rrit edhe më tej.
-Wilders dhe PVV e tij populiste e krahut të djathtë kanë 37 nga 150 vendet në parlament. Ai e ka dyfishuar rezultatin në krahasim me vitin 2021. Ky projeksion bazohet në 94 përqind të votave të numëruara.
-Sipas projeksionit, aleanca e Social Demokratëve dhe të Gjelbërve do të ketë 25 vende, dhjetë më shumë se në vitin 2021. Partia e re e qendrës NSC mund të marrë 20 vende.
-Partia qeverisëse borgjezo-konservatore VVD e kryeministrit Mark Rutte dhe kandidatja kryesore e saj, Dilan Yesilgoz, humbën 8 mandate dhe tani kanë 24 vende.
Zgjedhjet konsiderohen historike. Pas 13 vitesh nën drejtimin e Mark Rutte, pritej një garë e ngushtë. Rreth 13.3 milionë votues me të drejtë vote u thirrën në këto zgjedhje.
PVV e Wilder fitoi avantazh në sondazhe gjatë javëve të fundit. Kandidatja kryesore e VVD-së, Yesilgoz nuk e kishte përjashtuar Wilders si një partner koalicioni. Kryeministri në largim i VVD, Mark Rutte, nga ana tjetër, kishte refuzuar gjithmonë të punonte me Wilders.
Megjithatë, se kush do e formojë qeverinë, mbetet ende plotësisht e hapur.
Wilders ndjek një politikë të ashpër anti-Islam. Ndër të tjera, ai dëshiron të mbyllë të gjithë xhamitë dhe të ndalojë Kuranin.
Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore, ai kishte një ton më të moderuar dhe tha se lufta kundër Islamit nuk ishte prioritet për momentin. Në vend të kësaj, ai dëshiron të mbyllë kufijtë për azilkërkuesit.
Disa nga parullat e Wilders gjatë kësaj fushate ishin, ‘Islami nuk i përket Holandës’, por edhe ‘Më shumë staf në azile’ dhe ‘Qira dhe taksa më të ulëta’. Studiuesit e politikës e shohin këtë përzierje të sloganeve të krahut të djathtë dhe kërkesave klasike të krahut të majtë si recetën e suksesit të 60-vjeçarit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u bënë të nevojshme pasi koalicioni i qendrës së djathtë të Rutte u shemb në verë pas vetëm 18 muajsh në detyrë.
Arsyeja për këtë ishte një mosmarrëveshje mbi politikën e emigracionit. Rutte, kryeministri më jetëgjatë në historinë holandeze, më pas njoftoi largimin e tij nga politika kombëtare dhe tani dëshiron të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Megjithatë, ai do të qëndrojë në detyrë derisa qeveria e re të marrë detyrën.