Ish-presidenti Donald Trump thotë se i shpëtoi atentatit vetëm sepse lëvizi kokën në një moment kyç.
Trump tha në një intervistë me Washington Examiner se lëvizi në "kohën e duhur".
"Gjëja më e pabesueshme ishte se vetëm u ktheva, por u ktheva në kohën e duhur dhe në masën e duhur", tha Trump. "Po të isha kthyer vetëm në gjysmë, do të më kishte goditur pjesën e pasme të trurit. Në anën tjetër, do të kalonte përmes [kafkës].
Dhe duke qenë se ekrani ishte lart, unë po shikoja lart. Shanset për të bërë një kthesë të përsosur janë ndoshta një e dhjeta e një për qindshit, kështu që nuk duhet të isha këtu tani".
"Më qëlluan me një plumb që më shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë. E kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte sepse dëgjova një zhurmë si fishkëllimë, të shtëna dhe menjëherë ndjeva plumbin të më çante lëkurën," tha ish-presidenti në një postim në Truth Social. Kishte shumë gjak dhe kuptova çfarë po ndodhte.
Në intervistën e Washington Examiner, Trump tha se duhej të ishte "në këndin e saktë të duhur" pasi plumbi ishte "tre milimetra larg".
"Që unë do të kthehesha pikërisht në atë sekondë, ku ai [agresori] nuk do ndalonte së shtjeri, është e mahnitshme," tha Trump. "Shumë e mahnitshme. Realisht nuk duhej të isha këtu."
Trump i tha ish-mjekut të Shtëpisë së Bardhë dr. Ronny Jackson se një anim i vogël i kokës për të parë me prezantimin e tij ishte ajo që i shpëtoi jetën.
"Tabela që unë po shikoja më shpëtoi jetën," i tha Trump në telefon Jackson-it disa orë pas atentatit, sipas The New York Times. "Ai tha: "Nëse nuk do të isha drejtuar drejt asaj tabele dhe do të ktheja kokën për ta parë, ai plumb do të më kishte goditur mu në kokë".
Jackson shkroi në X se edhe nipi i tij u plagos në tubim.
"Fatmirësisht dëmtimi i tij nuk ishte serioz dhe ai është mirë. Familja ime ishte ulur përpara, afër vendit ku po fliste presidenti," postoi Jackson. "Ata dëgjuan të shtëna në ajër - nipi im më pas kuptoi se kishte gjak në qafë dhe diçka i kishte gërvishtur dhe prerë qafën."
Imazhet e trajektores së mundshme të plumbit kanë infiltruar në rrjetet sociale.
Një foto e kapur nga fotografi i New York Times, Doug Mills duket se tregon plumbin që "fluturon në ajër" pranë kokës së ish-presidentit Donald Trump.
Imazhi tregon një vijë gri pak mbi shpatullën e majtë të Trump-it. Një tjetër foto e bërë nga Mills tregon Trump duke vendosur dorën në vesh, ndërsa një imazh i tretë tregon gjak në dorën e tij.
Trump shkoi në spitalin Bethel Memorial për plagët e tij. Automjetet e trupave shtetërore u panë duke bllokuar hyrjen ndërsa mbështetësit qëndronin jashtë spitalit për të shprehur solidaritetin e tyre. Një grua, Ash Nix, megjithatë, mbajti një tabelë ku shkruhej "I uroj Trump-it një shërim të gjatë e të tmerrshëm!"
"E vetmja gjë e trishtë është se nëse do t'i ndodhte diçka, ai bëhet martir. Dhe ne nuk e duam këtë," i tha Nix stacionit lokal WTAJ-TV.