Tre kompani dhe 6 njerëz që kanë lidhje me Gardën Revolucionare Iraniane kanë marrë sanksione Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin u shpreh se masat ndëshkuese u vendosën për ata që kanë përdorur miliona dollarë tek Garda Revolucionare për të financuar aktivitetet e saj të pista. Sipas Munchin, Banka Qendrore Iraniane e ka ndihmuar gardën që të sigurojë dollarë amerikanë për operacionet e saj.
Sanksionet më të fundit vijnë pasi Donald Trump tërhoqi SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe premtoi rikthimin e masave shtrënguese ndaj republikës islamike. Sanksionet e ndërmarra në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe ndalojnë çdo amerikan apo kompani amerikane që të bëjnë biznes me ata që janë objekti i masave.
Munchin tha se SHBA do të bëjë gjithçka që mundet për të ndërprerë financat dhe burimet e Gardës Revolucionare Iraniane dhe operacionet e saj terroriste. Analistët mendojnë se pas tensionimit të situatës mes Iranit dhe Izraelit, sanksionet amerikane që vijnë në të njëjtën kohë, mbase jo fare rastësisht, duket se po i hedhin më shumë benzinë zjarrit.