Komisioni i Punëve të Jashtme në Mbretërinë e Bashkuar, bëri të ditur në një raport se Londra po përdoret si një bazë e aktiveve të korruptuara të individëve të lidhur me presidentin rus Vladimir Putin dhe Kremlinin.
“Përdorimi i Londrës si bazë për paratë e pista të individëve të lidhur me Kremlinin, është tashmë e qartë se përfshihet në një strategji më të gjerë të Rusisë dhe ka pasoja për sigurinë kombëtare”, shkruhet në raportin “Korrupsioni Rus në Mbretërinë e Bashkuar.
Raporti nënvizon se lufta kundër pastrimit të parasë në Londër duhet të jetë një prioritet i politikave të jashtme të Britanisë. Komisioni deklaroi se asetet e ruajtura dhe pastruara në Londër, në mënyrë direkte dhe indirekte, mbështesin fushatën e Putin për të shkatërruar sistemin ndërkombëtar të rregullave, përkeqësojnë marrëdhënien me aleatët dhe dëmtojnë rrjetet që mbështesin politikat e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Megjithatë, sipas publikimit, Britania po hesht gjithashtu mbi rolin e Londrës në fshehjen e të ardhurave të korrupsionit të lidhur me Kremlinin. Komisioni deklaroi se autoritetet vendase duhet të ndërtojnë një strategji koherente dhe pro-aktive për Rusinë, të drejtuar nga Zyra e Jashtme dhe Commonwealth-it. Megjithatë, roli i Londrës në pastrimin e parasë nuk është surprizues, ndërkohë që qyteti njihet gjerësisht si baza e të pasurve rusë, përfshirë oligarkët dhe biznesmenët.
Komisioni e quajti Londrën “lavatriçja” e aktiveve të korruptuara të Rusisë. Sipas raportit, ndër masat që mund të merren janë fuqizimi i sanksioneve kundër individëve të lidhur me regjime armiqësore, si dhe themelimin e një regjistri për zotërimet e kompanive të huaja që mund të ekspozojnë individë që blejnë prona nëpërmjet kompanive “offshore”.