×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

EULEX nga mesi i qershorit transformohet në mision këshilldhënës

E mërkurë, 23 May 2018 19:00

Nga data 14 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, pritet të ndryshojë mandatin. Mandati aktual, me përgjegjësi ekzekutive, monitoruese dhe mentoruese nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë, këtij misioni i mbaron pikërisht nga 14 qershori, kur edhe pritet të kalojë në mandatin këshillëdhënës.

Kështu të paktën paralajmërojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, duke u thirrur në bisedimet që janë zhvilluar me autoritetet e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ndërkaq, nga misioni i EULEX-it thonë se gjithçka pritet të sqarohet ditëve në vijim.

Donika Berisha, zëdhënëse në EULEX, tha për REL se mandati aktual i këtij misioni zgjatë deri më 14 qershor të këtij viti.

“Për periudhën pas qershorit, formati i saktë dhe numri i punonjësve të EULEX-it ende janë në procedura të shqyrtimit dhe do të varen nga vendimi i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Përndryshe parashihet se më nuk do të ketë gjyqtar dhe prokuror të EULEX-it në sistemin gjyqësor të Kosovës pas kësaj date kur edhe mandati aktual skadon”, tha Berisha.

Ajo tha se deri pas datës 14 qershor, nuk mund të thuhet asgjë se çfarë vendime do të ketë lidhur me ardhmen e misionit.

“Gjithashtu parashihet se misioni do t’i mbaj disa aktivitete të monitorimit në veçanti në lidhje me lëndët gjyqësore që tashmë janë në proces të transferimit tek gjyqësori i vendit”, tha Berisha.

Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës tashmë janë të sigurt se EULEX-i pas 14 qershorit do të ketë vetëm rol këshillëdhënës.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, konsideroj në se Kosova ka arritur t’i ndërtojë kapacitetet e veta të fuqishme për të marrë përgjegjësitë në sistemin e drejtësisë, përfshirë edhe fushat në të cilat deri më tash misioni i EULEX-i ka pasur rolin e primar.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, tha se tashmë ekzistojnë vlerësime edhe nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë se mekanizmat e drejtësisë, por edhe ato të sigurisë, kanë kapacitet që t’i marrin mbi vete të gjitha përgjegjësitë që deri tash i ka pasur EULEX-i.

“Më nuk do të kemi mision me mandat ekzekutiv në Republikën e Kosovës. Pra, do të do të jenë kosovarët ata, institucionet që do të jenë përgjegjës për agjencitë zbatuese të ligjit për qeverisjen e vendit dhe zbatimin e ligjit”, tha Tahiri.

Ministri Tahiri tha se grupi këshillëdhënës ndërkombëtare që do të mbetet nga EULEX-i, do të ketë një emër tjetër dhe ai do të vendoset nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ata do të monitorojnë punën e gjykatave, punën e prokurorisë, punën e policisë. Unë konsiderojnë se një gjë të tillë tashmë Bashkimi Evropian e bënë edhe me shtet e tjera. Ndoshta me një mision të tillë siç është te ne është pak më i theksuar, mirëpo i gjithë Ballkani Perëndimor, është në monitorimin, vëzhgimin e Bashkimit Evropian. Ne, apo gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojmë të jemi pjesë e BE-së dhe normalisht që në procese të tillë monitorohemi “, tha Tahiri.

Misioni i EULEX-it, është vendosur në Kosovë nga Bashkimi Evropian, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, për të ndihmuar shtetin e ri në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Këtij misioni në vitin 2016, i ishte vazhduar mandati deri në qershor 2018. Autoritetet në Kosovë në atë kohë patën deklaruar se po punojnë që misioni ta përfundojë punën e tij brenda afatit prej dy vjetësh.

Zyrtarët e Qeverisë se Kosovës kanë theksuar se pas përfundimit të mandatit, EULEX-i në rolin këshillëdhënës, do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë në fuqizimin e mëtejmë të sundimit të ligjit.

Për rrjedhën e përfundimit të mandatit të EULEX-it dhe procesin e mëtejmë duhet të bëhet një shkëmbim i letrave në mes të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe Përfaqësues së lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Bazuar në vlerësimet e organizatave joqeveritare në Kosovë, misioni i BE-së nuk i ka përmbushur pritjet, sidomos në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.


Login to post comments