Gazetari rus Arkady Babchenko, për të cilin u tha se, kishte mbetur i vrarë në një atentat mbrëmjen e së martës në Kiev, është gjallë. Vetë Babchenko u shfaqur të mërkurën në një konferencë për shtyp në kryeqytetin ukrainas, përkrah shefit të shërbimeve sekrete vendase, Vasyl Hrytsak.
Ky i fundit ka deklaruar se, vdekja e gazetarit u inskenua për ta shpëtuar atë nga një plan të vërtetë ekzekutimi, të përgatitur nga shërbimet sekrete ruse.
Babchenko është pritur me duartrokitje kur ka hyrë në dhomën e konferencës për shtyp, gjatë të cilës ka falënderuar autoritetet ukrainase të sigurisë që i shpëtuan jetën.
Gazetari u gjet “i vrarë” nga bashkëshortja e tij mbrëmjen e së martës në një kompleks pallatesh të Kievit, me plagë të shumta plumbi në kurriz. Më pas ai u shpall i vdekur teksa transportohej në spital.
Babchenko nuk kishte njoftuar as të shoqen për inskenimin dhe në konferencë ka nxituar t’i kërkojë asaj falje.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Jashtme ruse, e cila ka deklaruar se mirëpret faktin që reporteri është gjallë, ndërsa ka shtuar se inskenimi i vrasjes së tij është realizuar për efekte propagandistike.
Nga ana e tyre, autoritetet ukrainase kanë bërë me dije se kanë arrestuar një person në lidhje me planin real për ekzekutimin e gazetarit.
I mirënjohur për tonet kritike ndaj Kremlinit, Babchenko ka denoncuar disa herë aferat ruse në luftërat në Siri dhe në lindje të Ukrainës. Ai braktisi vendin e tij vitin e kaluar, pasi mori një seri kërcënimesh për shkak të një postimi në rrjetet sociale.