Një intervistë e komisionerit Oettinger dhënë DW, ka shkaktuar reagime të shumta në Itali. Gazetari italian Brunelli komenton për DW.
Natyrisht që po: politika italiane duket për momentin si një film serial i dobët. Tre kryeministra potencialë (Gentiloni, Conte, Cottarelli), që të tre të "ngrirë", deri sa nuk krijohet ndoshta një qeveri - dikur; një grindje serioze me presidentin e Italisë, në dëm të Kushtetutës; shqetësim i populistëve sipas motos "ata nuk po na lënë të qeverisim". Këtu duhen shtuar edhe hutimi i partive politike tradicionale, rreziku nga zgjedhjet e jashtëzakonshme për të cilat nuk dihet fare se si mund të rezultojnë si dhe frika nga reagimi i bursës. Por edhe faktin që italianët kaherë janë duke shpenzuar më shumë se sa që fitojnë - dmth. borxhet e shtetit janë në ngritje e sipër. Nga reformat afatgjate dhe të qendrueshme për momentin nuk ka kurfarë gjurme. Aktualisht nuk dihet as kush e ka pushtetin - djathtistët radikalë të Legas dhe populistët e Pesë Yjeve, të cilët paralajmërojnë edhe për mundësinë e largimit nga zona e euros, apo të tjerët. Por fakt është që forcimi i djathtistëve dhe populistëve ka gëzuar shumë persona si Steve Bannon, Viktor Orbán, Marine Le Pen apo madje edhe Vladimir Putin.
Problemi i Evropës
Po, në mbarë botën po flitet këto ditë për Italinë. Ne jemi sërish fëmija problematik i Evropës. Për një "tragjedi greke" shkruajnë komentatorët më të njohur në Itali. Këtu mendohet për problemet e shumta të Italisë me borxhet. Ndërkohë që Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Evropë. Njëkohësisht komisioneri për Buxhetin Günther Oettinger tha qartë se "tregjet do t'i mësojnë italianët se cilin duhet ta votojnë", që Italinë nuk e ndihmon fare. Një shprehje e cila ushqen populistët. Mediat më të mëdha shkruajnë për një fjalor si në "Oktoberfest" apo për "presione" dhe "arrogancë" të "fuqive të mëdha" në Bruksel, Strasburg apo Berlin. Rrjetet sociale janë mbushur me nocionet si "Rajhu i Katërt" dhe tanket gjermane. Gjermania është shndërruar në kokën e shumë njerëzve në një superfuqi imperialiste.
Madje edhe Jean-Claude Juncker ka deklaruar menjëherë se fjalia e Oettinger ka qenë një gabim i madh në komunikim. Nëse dikush është i rrethuar me zjarr, me siguri që nuk duhet të përdorë edhe benzinë. Problemi që nuk e prek vetëm Italinë është - nxitja e populizmit, përhapja e frikës dhe dëmtimi i strukturave të stabilizuara demokratike. Në këtë mënyrë humbet besimi ndaj politikës tradicionale në mbarë Evropën.
Retorika arrogante dhe mungesa e solidaritetit
Sa i përket Italisë, ata të cilët ndjehen tani të lënduar nga fjalët e Oettingerit, duhet të mendojnë për nivelin e lartë të papunësisë, mungesën e investimeve dhe retorikën e vazhdueshme arrogante për "detyrat e shtëpisë", kursimet dhe shkurtimet sociale, si dhe mungesën e solidaritetit evropian në strehimin dhe sistemimin e refugjatëve. Kësaj i gëzohen politikanët si Bannon apo Le Pen. Ai që nuk e kupton se fuqia e populistëve rritet me shtimin e numrit të gabimeve, nuk e ka kuptuar masën e rrezikut dhe kërcënimet jo vetëm për Italinë.
Po, gjendja është e komplikuar. Ndaj më mirë është të hiqet dorë nga klishetë e rëndomta, për vendet problematike jugore dhe evropianoveriorët kursyes - në Romë, Berlin apo Bruksel.
Roberto Brunelli është redaktor në gazetën "La Repubblica" dhe autori i disa librave, ndër tjerash ka shkruar me 2013 edhe biografinë e kancelares Merkel: "Angela Merkel - Die Sphinx".