Me pohe e bujë, ashtu siç e meriton, po shoqërohen protestat e studentëve të përhapur në të gjithë universitetet e vendit. Bash në këtë reliev protestash, marrë së toku edhe atë eposin e rezistencës së qytetarëve të unazës së re, shkëlqen ajo shpresa që me qeverinë Ramën e shihnim vetëm te sportelet e azilit të vendeve evropiane.
Protesta e studentëve duhet të shihet në një optikë po aq të gjerë sa shtrirja e saj, për shkak të potencialit që mbart dhe rezultantes së arritur deri më tash. Këtë potencë e tregon mekja e kryeministrit, të cilit s’i dëgjohet më ajo fjala “ngelësit” e kësi formash denigruese që artileria propagandistike hodhi ditën e parë kah studentëve.
S’i dëgjohet sepse kjo protestë është në fakt një epifani e demokracisë, përshfaqja më e dëlirë e një proteste rioshe për të cilën historia ka treguar se është anti-doti i keqqeverisjes. Është një zbatim i asaj këshillës së vyer dhe kuptimplotë e të madhit Mit’hat Frashërit, që t’i leme selamllëqet dhe kafenetë. Pra, ne substancë është politike dhe pikërisht për këtë karakter e “personalitet” të sajin po tentohet me marifete të tridhet. Brenda protestave janë angazhuar disa fraksione veliajniste për të ngritur ledhe për të ndaluar marshin kah kryeministrisë, me qëllim sfumimin e kimisë politike që bart kjo protestë. Të qenit politike nuk duhet keqkuptuar me atë fjalën “politike” që jemi mësuar të dëgjojmë nëpër zënka klubesh apo me fjalorin e gruas së famshme të Beratit. Në fakt, çdo gjë është politike dhe vet zgjidhjet janë politike, çka nënkupton se pjesëmarrja në politikëbërjen është ajo çka u jep lëvizshmëri ingranazheve të demokracisë. Dhe, protesta e studenteve s’është gjë tjetër përveçse një thirrje për pjesëmarrje në politiken e vendit, siç përkthehet vet termi demokraci.
Rama është i ndërgjegjshëm se protesta e studentëve demaskoi sesa i brishtë është për t’u rrëzuar dhe po bën çmos që ta ndajë në enklava protestën e po nxjerr Linditën si tabelë qitjeje. Rreth 3km larg është rreziku për Ramën, nga MAS tek Kryeministria. Çka më e rëndësishme është frika që ka mbërthyer kryeministrin pasi ai është i pari që e ka kuptuar sesa politike dhe asgjësuese për qeverinë e tij është ai marshim studentor. Dhe bash këtu është ngadhënjimi i parë i protestës. Kryeministri doli tek vetvetja, tek frika e tek paranoja dhe iu shemb arroganca që e bënte të pandehte se i kishte vënë shqiptarët për fundi.
Por, në daç të besojmë a jo se historia e përsërit vetveten, të paktën duhet të pranojmë shprehjen e famshme të Mark Twain se historia rimon. Dhe Edi Rama e di se qeveria e tij është “rrokja” ku do bjerë vargu i rimës. Prandaj, të qenit politike është forca dhe shpresa që jep protesta.