Studiuesi Aurel Plasari është vlerësuar më 2018 me Çmimin Shkencor Ndërkombëtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për librin "SKËNDERBEU. Një histori politike".
- Cilat janë pikëpamjet që kanë ndryshuar, për sa i takon historisë së jetës dhe veprës së Skënderbeut, dhe që i bëjnë të nevojshme rishkrimet historike, si në rastin e kthimit te figura e tij?
- Nëse historia në përgjithësi lypset rishkruar kohë më kohë, kjo nuk ndodh thjesht a vetëm prej zbulimit të “të dhënave” të reja. Kultura e një kombi ndryshon. Bashkë me të, konceptet zotëruese në kulturë ndryshojnë edhe ato. Pikëpamje të reja shfaqen domosdo, për të përfshirë, për të vlerësuar dhe për t’i renduar “të dhënat”, të vjetrat dhe të rejat. Bashkëkohësit e një epoke në zhvillim progresiv mbërrijnë në pikën e pamjes nga e cila mund të rishikohet dhe të rivlerësohet e kaluara në një modalitet të ri: edhe atëherë historia rishkruhet. Parashikues, ndërsa shkruante pikërisht për Skënderbeun, këtë të vërtetë e pohonte, për shembul, Aleks Buda, edhe pse duke e mëveshur me pakëz “marksizëm”: “Çdo epokë e shtron rishtas problemin e rëndësisë dhe të funksionit historik të një heroi dhe çdo epokë i përgjigjet ndryshe këtij problemi”.
Dhe, meqë ra fjala, për një histori politike si kjo për të cilën po bisedojmë punime monografike si Arbëria dhe pushtimi turk në shek. XV i Athanas Gegajt (Louvain 1937), Gjergj Kastrioti Skënderbeu 1405-1468 i Fan S. Nolit (New York 1947), studimet skënderbegiane të Aleks Budës, deri tek ato më të fundit, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra 1405-1468 e Kristo Frashërit (Tiranë 2002), Skënderbeu (Tiranë 2005) dhe Për Skënderbeun (Tiranë 2005) të Kasem Biçokut, jo që nuk kanë qenë pengesa, por kanë shërbyer si ndihma me mjaft vlerë.
- Përse keni parapëlqyer, në gjetjen tuaj të trajtesës, pikërisht formatin e një historie politike për Skënderbeun?
- Sepse kam konstatuar që ajo mungonte. Prandaj edhe e kam pohuar qysh në fillim të këtij punimi që nuk ishte fjala për një tjetër jetëshkrim të Skënderbeut simbas modelit “jeta dhe vepra”. Ishte përpjekje për të hartuar një histori politike të Skënderbeut duke kuptuar me historinë politike njërën nga degët kryesore të hulumtimit në histori, që trajton faktet politike, me përparësi ato të historisë së shteteve dhe/ose të shtetarëve. Për kohë të gjatë e lidhur me historinë fetare, e shndërruar në “histori zyrtare” gjatë regjimeve totalitare, sot në kuptim më të përgjithshëm asaj i bashkëngjiten historia ushtarake, historia administrative dhe historia diplomatike.
Kryepersoni historik i këtij punimi, Gjergj Kastrioti, është një hero tanimë i imponuar në historinë e Shqipërisë si figurë “heroi kombëtar”, madje si simbol i identitetit të shqiptarëve arbërorë dhe i qëndresës së tyre dhe/ose i luftërave të tyre, deri edhe në nivelin e informacionit enciklopedik botëror. Kuptohet vetiu që figura si e tija, në historinë e çdo kombi, vuajnë jo vetëm rrezikun e ngatërrimit të kufijve mes historisë dhe legjendës, por edhe të shpjegimit të njëanshëm të tyre: jashtë kontekstit të kohës ose pa lidhje me idetë e zhvilluara a me lëvizjet e organizuara përbrenda të cilave ata vetë kanë jetuar, vepruar, luftuar. Është edhe kjo një arsye që “historia e Skënderbeut” jo vetëm ka shtruar, por vijon të shtrojë pyetje para specialistëve shumëfarësh, dhe për të cilën ajo lypset rishkruar: jo vetëm duke rishikuar sa për të është shkruar, por duke verifikuar tezat dhe kundërtezat në ballafaqim me burimet, enkas për sa i përket anës politike të saj.
- Qysh në hyrjen e kësaj historie thuhet se, prej kohës së Marin Barletit, panegjiristët e Skënderbeut, nga njëra anë, dhe detraktuesit e tij, nga ana tjetër, janë ndarë në dy palësh duke ngulmuar në bindjet e veta. Si e keni përkapur në punimin tuaj të ashtuquajturin “debat mbi Skënderbeun”?
- Është një nga pyetjet më të rëndësishme që më është bërë. Sepse përzgjedhja e profilit të trajtesës – si histori politike – lidhet me një shtysë rrethanash të realiteteve shqiptare të fillimit të viteve ’90. Ato e provokuan punimin që të lindej si një libër polemike, edhe pse, mbas mbarimit të punës, ai është çliruar enkas prej elementeve të dukshme të polemikës, ashtu siç hiqen skelat e punimit në zbatimin e një projekti ndërtimi mbas përfundimit të tij.
Prej vitit 1994 u shfaq në shtypin shqiptar i ashtuquajturi “Mbi debatin për Skënderbeun”. Në të vërtetë nuk ishte ndonjë ndërhyrje në ndonjë “debat”, sepse një i tillë nuk ekzistonte ende në vitet ’90. Ishte truku për provokimin e një debati. Ai ndërtohej mbi një varg akuzash. E shumta syresh të vjetra, qysh prej kronistëve osmanë, që e urrenin Gjergj Kastriotin si armik të sulltanëve të cilëve vetë kronistët u shërbenin me tekstet e tyre servile, pavarësisht se pikërisht prandaj me vlerë si burime. Publikut i shërbeheshin nga e para akuzat e tyre, të ambalazhuara me letra të shndritshme karameleje. U shtoheshin edhe akuza prej ndonjë autori perëndimor skeptik, si Gibbon e ndonjë tjetër. Vargu i akuzave vijon të qarkullojë në mjetet e komunikimit social edhe sot e gjithë ditën sa do t’i jepte shkas një tjetër libri – mundësisht kësaj here në regjistër divulgativ – me titull “Për çfarë akuzohet ende sot Skënderbeu”, si me thënë një kthim 80 e ca vite mbrapa kur skënderbegologu i hershëm Marin Sirdani publikonte me disa vijime polemikën e tij historike “Per shka fajiset Skanderbegu”.
- Ciklin e kapitujve të këtij libri, të botuara në shtypin e kohës qysh gjatë viteve 2002-2003, ju e keni pas mbititulluar “Skënderbeu sipas dokumenteve”. Si janë vendosur marrëdhëniet tuaja me burimet dokumentare, aq të larmishme, me sa kuptohet nga leximi i këtij punimi?
- Nëse e kini vënë re, ndër të falenderuarit në fund të punimit është edhe Injac Zamputi me shënimin “për konceptimin e këtij libri”. Zamputi, që në ato vite kishte rifilluar bashkëpunimin me edicionin e ri të revistës “Hylli i Dritës”, ishte shprehimisht i tronditur nga debati artificialisht i provokuar “për Skënderbeun”. Ideja e tij ishte që artikujve të shtypit të kinse-“debatit” nuk u duhej përgjigjur thjesht me artikuj, por me një libër: një variant të ri të historisë së Skënderbeut, mundësisht të profilit politik. I jam shprehur edhe në publik mirënjohës sepse pati parashikimin që mund t’ia dilja një sipërmarrjeje të tillë: “sepse ke edhe moshën edhe mundësitë”, siç më llogariste. Moshën në të vërtetë e kisha, por mundësitë jo. Isha mësimdhënës universitar, por jo i integruar në ndonjë institucion kërkimor-shkencor, as mund të përfitoja nga ndonjë “projekt”, sikur qe bërë “modë shkencore”, si dhe as të siguroja ndonjë mbështetje financiare.
Megjithëkëtë më 1995-1996 m’u krijua mundësia e parë: të shërbeja si i ftuar në Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale (Paris), strukturë e pajisur me njërën nga bibliotekat “orientale” më të pasura të Europës. Mundësia e dytë, që e favorizonte sipërmarrjen për një punim të këtillë, ishte një bursë kërkimore-shkencore TEMPUS / PHARE, Programme: Transeuropéen de Coopération pour l’Enseignement Supérieur, Période 1 septembre 1995 - 31 août 1996, Recherches dans Archives et Bibliothèques etc. Kjo mundësi e dytë pati të bënte jo vetëm me qasje edhe më të afërta ndaj burimeve aq të pasura për Arbërinë, arbërorët dhe Skënderbeun, por edhe me plotësimin e informacioneve që i quajmë të teorisë së historisë ose të filozofisë së historisë. Është ngutur njëri nga anëtarët e Akademisë së Shkencave kur, në akuza e sipër ndaj kolegëve të kërkimit shkencor, ka lëshuar akuzën përgjithësuese kinse ja: në fushën e historisë këtu në Shqipëri nuk njohkan as teoricienët e rëndësishëm të historiografisë, që i njohka zotëria e tij. Mundësia e tretë më qëlloi prej vitit 1998, kur m’u ofrua detyra e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Tiranë, një institucion që ofron mundësi edhe më të mëdha për të komunikuar, sa me biblioteka të tjera anembanë botës, aq edhe me shumë arkiva. Parashikimi i Injac Zamputit pra më ka rezultuar i mbarë e i mbrothët.
- A do të mund ta themi ne sot, me pak fjalë, rëndësinë e ngritjes në historinë e Arbërisë dhe njëherësh të kontinentit europian të Gjergj Kastriotit?
- Duke iu druar rrezikut për t’i mëveshur historisë aftësi parathënëse, në “konkluzionet” e kësaj historie politike Skënderbeu në relacion me mbasardhësit është theksuar si hero semantik. Për autorin e kësaj historie kjo do të thotë që, prej gjithë asaj çfarë Skënderbeu përftoi me një vizion gjenial të rrethanave, diçka mbeti. Nuk është fjala për “mësime”, por për atë diçka – sema – që do të zhvillohej dhe u zhvillua historikisht qoftë edhe në forma nga më të larmishmet, siç ndodh në çdo fushë të vështruar semantikisht si sistem shenjash.
- Ky është, sipas jush, momenti më i rëndësishëm, ai që ka vendosur fatin e Arbërisë, në gjithë historinë politike të Skënderbeut?
- Besoj të kem mundur të argumentoj se si, përtej rezultatit të realizimit të formacionit politiko-fetar që Šufflay dhe Jirečeku e quajtën “shtetin më të madh të krishterë të Ballkanit”, si dhe përtej amortizimit të impaktit turko-osman ndaj Europës, pikërisht në atë që e quajmë “Shekulli i Skënderbeut”, arbërorët e tij, si popull bashkëndihmues në qëndresën e armatosur dhe në luftërat antiturke, e ndien veten kryekëput europianë. Me të tjera fjalë: e ndien veten pjesëdhënës e pjesëmarrës të një sistemi të përbashkët të menduari e të vepruari.
Šufflay, që e zura në gojë, ka pas dalë në përfundimin se qenë pikërisht “luftërat e Skënderbeut” ato që i dhanë shkas formimit në mbarë Europën të konceptit të një “Arbërie më vete”, e cila për të kishte indicie të ketë vijuar deri në shek. XVII. Do të thotë kjo se, mbi një konstruksion që sot mund të na duket thjesht “fetar”, erdhi e u ngrit në ato kontingjenca një konstruksion i mirëfilltë politik. Ky është një fakt që në historinë e Europës nuk mund të shuhet, si dhe që në historinë e Arbërisë - edhe në u rrekshin - nuk do ta fshijnë dot. Askush, as ndër arbërorët modernë, nuk do të mundë t’i shpëtojë më ngashënjimit nga ky mnesis politik që rihet e përtërihet prej njërit shekull në tjetrin: është fjala jo për kujtimin e asaj që u quajt Arnavudi apo Arnawutluk, por për Arbërinë e kohës skënderbegiane. “Gjithçka dëfton se deri në pushtimin osman Arbëria kishte ndjekur zhvillimin civil të Europës së atyre kohëve”, ka pas vënë re Francesco Chetta-Schiròi në hyrjen e një punimi të tij rreth familjes së Kastriotëve. Te specialistë të Mesjetës së Arbërisë, si Gelcich, Jorga, Šufflay, Jireček etj., gjenden dendur përshkrimet e kancelarive të zhvilluara të dinastëve arbërorë, si dhe të dhëna për “shkallën mesatarisht të lartë” të viseve ku ata sundonin, për nivelin e tyre të arsimimit, deri edhe përcaktime si: “fisnikët arbërorë ishin të barabartë me aristokracinë e lartë të Italisë”.
- Mendoni që ky konstruksion paraqet edhe vlerë aktuale për shqiptarët për sa i përket identitetit të tyre dhe raportit të tyre me pjesën tjetër të kontinentit europian?
- Padyshim: pa përfilljen e këtij konstruksioni të ri, asokohe në përftim e sipër, nuk do të kuptohej dot pozicioni i arbërorëve në raport me kontinentin europian, jo vetëm gjatë periudhës së luftërave antiturke të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti, - besoj që në këtë histori politike është dëftuar, - por edhe mbas tyre. Në një kontekst si ky qëndresa dhe luftërat antiturke të Skënderbeut ngrenë peshë si për ç’i përket përfshirjes së tij në historinë e madhe të kontinentit, ashtu edhe për pozicionin ndërkombëtar në të cilin, në kapërcyellin e Mesjetës dhe Kohës së Re, ai e vendosi Arbërinë e tij. Prej një kësi pozicioni për autorin e këtij punimi ai rezulton jo vetëm personaliteti më i madh politik e ushtarak i historisë së Arbërisë, jo vetëm figura arbërore më e spikatur e historisë së Europës së kohës së tij, por edhe heroi semantik i shqiptarëve të çdo kohe.
- A mendoni që mund të jepet tani, në shekullin e XXI, për shqiptarët e sotëm një profil, portret politik e njerëzor, fetar i Gjergj Kastriotit, krejt i çliruar nga propaganda?
- Zhvillimi i atyre që quajmë në gjuhën profesionale Studime skënderbegiane, si degë shumëdisiplinore e albanologjisë, do të varet nga niveli i përgjithshëm i zhvillimit të shoqërisë sonë. Është i njohur parimi: sa më shumë zhvillohet një shoqëri, aq më shumë studimi i historisë përparon dhe përparimi i dijes historike shoqërohet domosdoshmërisht nga një objektivitet në rritje i saj. Mbaj mend që në konferencat shumë të njohura të mbajtura në Universitetin e Kembrixhit, nën titullin “What is History?”, teoricieni i historisë Edward H. Carr i vështroi pakashumë kështu këto marrëdhënie: Një shoqërie që është në pështjellim të plotë për ç’i takon të tanishmes, dhe që e ka humbur besimin në të ardhmen, historia e së kaluarës do t’i duket si një rrëmim ngjarjesh pa farë lidhjeje dhe pa pikë kuptimi. Nëse shoqëria e rekuperon zotërimin e së tanishmes dhe vizionin e saj për të ardhmen, ajo në të njëjtën kohë do të rifitojë edhe aftësinë për të depërtuar në të kaluarën.
Të shtoj edhe një faktor që ndodh të shpërfillet: ai që shkruan histori, qysh kur historia është mëvetësuar si histori, nuk shkruan nga koha e ndodhjes së ngjarjeve, por nga koha e vet. Në këtë kohë të vet asnjë historian nuk mund të zhvishet nga pozicioni i tij qytetar, nga formimi i tij kulturor, nga idealet e tij sociale, edhe politike qofshin. Objektivitet absolut dhe atemporal në historiografi as ka pasur ndonjëherë dhe as mund të ketë, prandaj kur flitet për aq të diskutuarin “objektivitet” në histori bëhet fjalë gjithnjë për një objektivitet relativ. Rëndësi ka të mos manipulosh e të mos deformosh faktet, të ruash mirëfunksionimin mes fakteve dhe interpretimeve të tua, sikurse vazhdimisht porositet nëpër mësimet e teorisë së historisë, çfarë me të tjera fjalë do të thotë të modelosh me profesionalitet interpretimet ndaj fakteve dhe faktet ndaj interpretimeve, ose siç këshillonte profesori i përmendur i Leksioneve të Kembrixhit: t’i lësh me barrë këto me ato dhe ato me këto.
Intervistoi: Violeta Murati
(Marrë nga "ExLibris")