Demonkracia jonë

Premte, 23 August 2019 13:48
Nga Luçiano Boçi  
 

Sistemi demokratik njihet për avantazhet e veta sociale e ekonomike, në raport me të gjitha sistemet e tjera.

Demokracia, fjalë që vjen nga greqishtja (demo - popull, kraci – rend) përcaktohet si një formë qeverisje në të cilën shumica e njerëzve ushtrojnë sovranitetin e tyre ose drejtpërdrejt nëpërmjet referendumeve, ose në mënyrë jo të drejtpërdrejt nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve, ku baza themelore është vota e lirë.

Vendosja e saj në Shqipëri mbetet një nga arritjet më të mëdha historike dhe kombëtare.

Por sot, gati pas 30 vitesh është shumë e vështirë të flasim për një demokraci të vërtetë e funksionale.

Deformimi i saj në thelb është spektakolar.

Aq sa sot ky term, DEMOKRACI, duket i zëvendësuar nga shumë lloje kracish. Kleptokraci, narkokraci, idiokraci etj...

Demokracia në Shqipëri nuk është më ushtrim i sovranitetit të popullit, por ushtrim i pushtetit të një grushti njerëzish, si një fuzion midis krimit-politikës-ekonomisë-drejtësisë-medias.

Terminologjikisht, DEMO (popull) është zëvendësuar me DEMON.

Një lloj rendi demonësh, sundues specifikë me veladon politik që të çon tek DEMONKRACIA jonë origjinale.

Në këtë sistem “sui generis”, populli nuk ushtron sovranitetin e tij, por thjesht sundohet nga enklava sektesh kriminalo - politike, brenda forcave politike, siç është Rilindja brenda PS.

Ky sistem ka vrarë votën, vullnetin e lirë të qytetarëve, ka eliminuar përfaqësimin parlamentar të zgjedhësit dhe investon kriminalisht pushtetin, të cilin e siguron me zgjatimet e kontrollit në sektorin e ekonomisë, drejtësisë, mediave dhe çdo minisektori me influencë publike, deri tek Akademia e Shkencave.

Pasojat negative afatgjata janë të prekshme dhe mbjellin varfërim absolut, braktisje progresive dhe humbje shprese totale. Pasojat afatshkurtra janë të dukshme në krizën e thellë politike dhe situatën pa rrugëdalje të aspiratave evropiane.

Demonkracia jonë tashmë ka instaluar një strukturë shtetërore mafioze, brenda së cilës dallimi midis Kryeministrit e Padrinos është i shkrirë, dallimi midis qeveritarit qendror e lokal e bosit mafioz rajonal apo sektorial nuk ekziston, ku dallimi midis vrasësit, trafikantit dhe funksionarit politik është nul.

Rastet Pjetri, Kajmaku janë fare të freskëta si vazhdimësi natyrale e rasteve Bushi, Prenga etj.

Po t’i shtosh kësaj demokracie, profilin psikik demoniak të Ramës, dozat e agravimit janë më të forta.

Pamja përfundimtare i ngjan një çmendine gjigande, ku në ndryshim nga ato klasiket, të çmendurit që qeverisin kërkojnë të mbyllin brenda njerëzit normalë, për t’i fikur atyre çdo dëshirë e rezistencë për vlerat.

Ekzekutimi i institucioneve e parimeve demokratike brenda kësaj çmendine shvejkiane, është evident.

Demokracisë po i fshijnë dhe gjurmët e fundit, duke i ruajtur vetëm elementët fjalësorë.

PPP-të dhe koncensionet, nga mënyra e sasia si janë aplikuar në vendin tonë, janë transformuar në vrasëse të konkurrencës e iniciativës së lirë që përbën shpirtin ekonomik të demokracisë.

Miliona euro rrëmbehen për projekte që kushtojnë vetëm dhjetëra.

Historia, kultura por dhe ekzistenca e jetës së njerëzve të thjeshtë, rrafshohen para interesit financiar klientelist oligarkik.

Teatri, unaza. Reforma e ashtuquajtur e Drejtësisë është provuar të jetë një instalim i padrejtësisë politike e institucionale.

Dosja 184 dhe mënyra e sjelljes me të, vulosi përfundimisht të ekzistuarit e drejtësisë, si një vegël qorre politike.

Rama, Gjushët e Gjiknurët, bëjnë tërmete grabitje vote në mes të ditës e nuk i hyn gjemb në këmbë, ndërsa me qindra persekutohen padrejtësisht zyrave e qelive në kërkim të drejtave themelore.

KQZ nuk i bindet Presidentit e duartrokitet nga Kryeministri. Media është ose kapur, ose blerë, ose trysnuar, brenda një lirie të cunguar me mjete ironikisht demokratike. Me ligje të pista. Duke shpifur ligjërisht për shpifjen.

Zgjedhjet janë eleminuar totalisht dhe kanë sanksionuar monopartitizmin, blerjen dhe shkeljen e Kushtetutës e shpërfilljen e Presidentit.

Demonët janë ngjallur e çliruar nga zinxhirët dhe kanë rrëmbyer gjithçka, duke veshur petkun e demos-it.

Në këto rrethana lufta me Demonkracinë, për vendosjen e Demokracisë, mbetet sfidë e vështirë, por e pashmangshme. Një detyrë qytetare e lartë.

Diktaturat janë armiq të dukshëm, kësisoj më drejtpërdrejt të përballueshme.

Ndërsa demonkracitë oligarkike si e jona, janë armiq të fshehtë, të egër sa diktaturat, por më të sofistikuara.

Luajnë bllofin demokratik të Republikës.

Fshihen e zbukurohen me propagandë të rafinuar.

Relativizojnë të keqen e zbukurojnë të shëmtuarën.

Kanë legjimitet konjuktural ndërkomb?tar dhe shfrytëzojnë kontekstet e iluzionet demokratike, sidomos mediatikisht.

Beteja me to është e vështirë dhe e gjatë.

Fitorja kërkon shumë mund dhe investim njerëzor, brenda një rruge të mbushur shpesh herë me kurthe e moskuptime.

Në këtë pikë, opozita shqiptare dhe PD si drejtuese e këtij fronti kanë përsipër një mision historik.

Përballja po progreson dhe triumfi mbi demonkracinë për të rivendosur demokracinë politike, ekonomike e sociale është i afërt.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...