rofesori Artan Fuga u kërkoi të premten gazetarëve që të sqarojnë se çfarë do të thotë hapje me kushte e negociatave, nëse është hap përpara apo një dështim total. Ironia e Fugës është e lexueshme, çdokush e di se hapje me kushte nuk do të thotë hapje negociatash, sikundër është lehtësisht e kuptueshme se nëse kushtet shtohen, gjërat kanë shkuar më keq.
Por për të kuptuar se çfarë ka ndodhur brenda një viti, duhet të lexosh një intervistë tek Panorama të ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Ai sqaron se “në qershorin e 2018-ës, vendet anëtare të BE-së vendosën t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit të Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Po ashtu, vendet anëtare skicuan rrugën drejt zyrtarizimit të bisedimeve, përmes një procesi përgatitor dhe afatizimin e tij, duke përcaktuar qershorin e 2019-ës si periudhën e zyrtarizimit të bisedimeve dhe fundin e këtij viti për organizimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, që simbolizon nisjen e bisedimeve”.
Pra me fjalë të tjera, brenda këtij viti duhej të nisnin negociatat. Por ato jo vetëm janë shtyrë pa asnjë afat, madje janë shtuar kushtet.
Vetë ish-ministri detyrohet të sqarojë një deklaratë të bërë në qershor të vitit 2018, kur tha se kushtet për Maqedoninë ishin më strikte se për Shqipërinë. Çfarë ka ndodhur brenda një viti që Maqedonia plotëson kushtet dhe merr një ‘PO’ të pakushtëzuar, kurse Shqipëria bën hapa mbrapa?
“Më vjen keq që duhet t’i jap të drejtë vetes për disa çështje, të cilat unë i kam ngritur vijimësisht në Kuvend, por jo vetëm, që kanë shkaktuar edhe debat publik. Ndërkohë që ne e kishim të mirëpërcaktuar rrugën që duhet të ndiqnim drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim në BE, politika shqiptare u fut në rrethrrotullim, prej nga nuk po gjen ende rrugëdalje. 2019-ta u shoqërua me eksperimente të rrezikshme, siç ishte djegia e mandateve nga ana e opozitës, mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, mungesa e bashkëpunimit politik dhe mirëkuptimit institucional për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Eksperimente këto, që “militarizuan” mendjen dhe debatin publik, duke zvogëluar edhe më tej kapacitetin tonë si klasë politike, për ta konsideruar procesin e anëtarësimit në BE si një prioritet realisht kombëtar e mbipartiak”.
Kjo është përgjigja e ish-ministrit, por për ta thjeshtëzuar për njerëzit: Gjatë këtij viti janë bërë hapa galopantë pas nga qeveria. Pushtetet kanë rënë në një dorë, Reforma në Drejtësi po ecën me hapa breshke, shoqëruar me dyshime se po kapet nga qeveria. Mbi të gjitha, gjatë këtij viti ka dalë në dritën e diellit falë publikimeve nga gazeta më e madhe gjermane, BILD, fakti që kjo qeveri jo vetëm ka blerë zgjedhjet e vitit 2017, por nuk di të bëjë zgjedhje as kur është vetëm në garë.
Si për t’ia vënë kapakun, gjatë kësaj kohe Shqipëria ka humbur të vetmin vlerësim që merrte nga të huajt: atë të spirancës së stabilitetit në rajon. Në dokumentin gjerman theksohet me forcë rreziku që Shqipëria të ndezë konflikte në rajon.
Të gjitha bashkë janë një tregues i zymtë se kjo gjetje gjermane për negociatat është një mënyrë e qartë për të na treguar se qeveria ia ka futur marshin indietro vendit. Prandaj duhet nxituar që të paktën ‘makina’ të frenojë. Pastaj dhëntë Zoti të fusim sërish marshin e parë./Mapo/