Demokracia e shtirur e Despotëve të rinj

Tuesday, 17 December 2019 17:12


Nga NADIA URBINATI
E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika/

Përqark Romës lëvizin me lehtësi fuqitë kundër-demokratike. Në pak më shumë se tre muaj Italia ka pritur Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Evropa, (dobësia e saj së pari), i intereson të dyve (siç i intereson dhe mik-armikut të tyre Donald Trump); mbi të gjitha Mesdheu, udhëkryqi për Afrikën apo Lindjen e Mesme, të dëshirueshme për të dy fuqitë kontinentale me lakmi perandorake, Kina dhe Rusia. Ato janë, së bashku me Arabinë Saudite, Turqinë, Taxhikistanin, Emiratet Arabe, Vietnamin, Iranin e Singaporin (me një front që shtyhet deri brënda Evropës me Hungarinë e Orbanit) përfaqësuese të një modeli ekonomiko-shoqëror e politik që sfidon madje pa ndrojtje demokracinë. Së fundi Putini ka gjëmuar kundër demokracive kushtetuese, të arritura simbas tij në fund të rrugës; para disa vitesh, duke komentuar një rezolutë të Parlamentit evropian kundër ndërhyrjeve ruse në mediat kishte pohuar: “Të gjithë na bëjnë shkollë për demokracinë, ndërsa shohim poshtërimin në të cilin dergjet vetë ideja e demokracisë”.
Për të përcaktuar këta sisteme të pushtetit janë shpikur formulat më të çuditëshme, si psh. ajo e “demokracisë iliberale” (e dashur shumë edhe nga Orbani veç Erdoganit), që nuk thotë asgjë sepse një demokraci me të drejta civile nën mbikqyrjen e ekzekutivit dhe pa një konkurrim publik e të lirë politik nuk mund të ekzistojë, edhe kur shfrytëzon zgjedhje dhe një sistem të sofistikuar të mediave. Kohët e fundit John Keane, një studjues i politikës në Universitetin e Sidney-t ka shkruar se këta sisteme shumë të rrënjosura n’Azi mund të futen në kategorinë e “despotizmit të ri”. Është e dukëshme jehona e klasikëve, të Aristotelit e të Montesquieu-ut, që vendosnin në kontinentin aziatik themelet e një sistemi të mohimit të politikës, të cilit i nuhasnin aftësinë tërheqëse dhe depërtuese edhe përtej kufijve të shtëpisë së tyre. Despotizmi i ri, që miqtë e demokracisë do të duhej të përpiqeshin t’a njihnin më mirë, i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për të patur fat edhe brënda demokracive tona, sepse ushqehet me një gjellë që i a njohim mirë përbërësit: ideologjia e popullit, manipulimi i mediave, kapitalizmi dhe oligarkia, korrupsioni dhe klientelizmi.
Të mbështetura nga një sistem i shumfishtë piramidash të pushtetit, udhëheqësit e despotizmit të ri ushtrojnë mbisundimin e tyre nëpërmjet një sistemi të shtrirë korrupsioni që shtresëzon miq dhe armiq, por edhe përdorimit të votimeve fantazma që duhet të festojnë fitoret në vend që t’i japin zë parapëlqimeve. Frikësojnë votuesit dhe blejnë votat – por duan shfaqjen e zgjedhjeve, sepse duan të paraqiten me hijen e ligjëshmërisë popullore.
Ky sistem xhelatinoz nuk ushtron me një harxhim trashanik mjetesh shtypjen e dhunëshme (edhe ndrangeta në Varesotto e kupton rolin e reklamës!), as nuk e ushqen në mënyrë të ankthëshme frikën, si despoti i ravijëzuar nga Montesquieu. Është si një organizëm i stërmadh, në të cilin mbahen së bashku pasuria stratosferike e të paktëve, mirëqënia e shtresave të mesme dhe premtimi për arritjen e kësaj të fundit nga klasa puntore. Imtësisht e vëmëndëshme ndaj hollësive, se si populli jeton e çfarë mendon, mbahet mbi një oligarki të paisur me një pushtet të pakritikueshëm që grumbullon pasuri përrallore, lind dinasti të vërteta, e nuk fshihet në sytë e publikut si despotët e lashtë, por paraqitet si një model për të gjithë. Suksesi është forma më e mirë e kontrollit shoqëror të vetë pjellur.
As nuk është e vërtetë që despotzmi i ri të jetë shqeto arbitraritet: ndërsa është e vërtetë se ushtron ligjin simbas një rregulle që e njohin mirë edhe populistët: i ëmbël e i njerëzishëm me mbështetës dhe miq, i sertë me kundërshtarët. Mbarështojnë frikën me rregullsi e pa nevojën e shfaqjeve të kota të dhunës. Me një fjalë fashizmat ishin si shkolla fillore për despotizmat e rinj. Por ka një fakt të ri, që as fashizmi historik as sovjetizmi totalitar nuk e njihnin: ideologjia e hedonizmit konsumues. Joshja e publikut në vend të shtypjes është bërë sot e mundur nga sistemi kapitalist që i lejon despotët e rinj të shfrytëzojnë duarplot argumentin e suksesit ekonomik e të mirëqënies. Shoqëritë e reja despotike janë një panair bashkëkohësie arkitektonike, lluksi dhe zhvillimi teknologjik. Dhe është pikërisht mbi këtë argument që bejlegu me demokracitë perëndimore bëhet fatal, mbasi ato janë ringjallur në mbasluftën e dytë me premtimin e një mirëqënieje të përhapur, që nuk duhej t’ishte qëllim në vetvete por kusht për një jetë dinjitoze e të lirë. Despotët e rinj premtojnë (janë bujarë në përkrahjen e instituteve të kërkimeve e të mediave që përhapin të dhënat mbi fitoret e mëdha të popujve të tyre), ato që në shoqëritë tona janë të paktë ata që mund të premtojnë: një t’ardhme në të cilën bijtë do të jetojnë më mirë se sa prindërit.
Pikërisht këto suksese ekonomike i shtyjnë studjuesit dhe analistët perëndimorë që të lejojnë të thuhet se bëhet fjalë për “demokraci”, makar “deleguese” ose “iliberale” apo “gjysëm demokratike”. Filozofia shoqërore e lumturisë konsumatore vlerësohet me medaljen e “demokracisë”: një zgjedhje pak e urtë po të mbajmë parasysh se, për të vlerësuar despotët e rinj duke i bërë të hyjnë në Panteonin demokratik, përfundohet në ligështimin e demokracisë, duke e kthyer në një fjalë të squllët që humbet kuptimin, pikërisht ashtu sikurse despotët e rinj dëshërojnë që të jetë.

E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...