Vizitoni dhe ndonjë shkollë të rrënuar, mos u frikësoni

Tuesday, 17 December 2019 18:01
Nga Ndriçim Mehmeti 
 

Në ditët pas tërmetit të 21 shtatorit mburrja më e madhe e qeverisë ishte: ‘Do të marrim masa për të hartuar një plan për informim të nxënësve dhe për të inspektuar për sigurinë fizike të shkollave’.

Në fakt asnjëra dhe as tjetra nuk ndodhi. Përkundrazi.  Në shpejtësi e sipër u bënë a lyerje, fasada, festime, e inaugurime për vit të mbarë shkollor. Kur tërmeti i 26 nëntorit rrafshoi edhe shkollat që ishin rikonstruktuar pak vite më parë dhe më keq akoma pak muaj më parë, askush nuk u pa në ndërtesat e shkollave.

Komandanti, Lindita, Besa, Lali, Gjushi, Bushi e me radhë, i largohen shkollave si djalli nga temjani. Dhe kjo e ka shpjegimin e vet. Shkollat ishin skenë krimi. As Komandanti, as Lindita, Lali, Gjushi e Bushi e më pak Besa (që nuk e di ende se çfarë ka ndodhur më 26 nëntor), nuk ju afruan asnjë shkolle të vetme, për të na treguar se çfarë ndodhi, kush janë përgjegjësit, pse ndodhi etj.

 

 

Le të flasim me shembuj dhe emra, pa hezituar, pasi bëhet fjalë për sigurinë e fëmijëve tanë, e cila, është neglizhuar e mbi të gjitha është anuar rëndë, duke abuzuar me paratë e publikut në ndërtime dhe rikonstruksione skandaloze.

Rasti i shkollës, Sami Frashëri. Ja se çfarë raportonte shtypi dhe televizionet një vit më parë, në 9 korrik 2018. ‘Krahas projektit për ndërtimin e 20 shkollave të reja, Bashkia e Tiranës po kujdeset që shkollat ekzistuese të përmirësojnë kushtet për të mirëpritur nxënësit e tyre.

Një prej shkollave që iu nënshtrua rikonstruksionit është edhe gjimnazi ‘Sami Frashëri’, nxënësit e të cilit mund të studiojnë në mjedise moderne. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e kompanisë ‘P. M’ dhe organizatës ‘M. Sh’, rikonstruktuan fushat sportive brenda dhe jashtë shkollës, sallat e zhveshjes, dyert e klasave, si dhe laboratorët shkencorë (biologji, kimi dhe informatikë).’

Kur shkolla u bë e pabanueshme, askush nuk doli të na thotë çfarë ndodhi. Ndërtesës  ju vendos shiriti i kuq në vend të shirit skenë krimi dhe u gjend edhe një kokë turku, drejtoresha e shkollës, për të larë duart nga kjo histori.

Ndërkaq që Lali i bëri kashirllëk, gjithë opinionit, prindërve dhe prokurorisë, duke u mburrur në shkollën ‘Kosova’, ‘të cilën e kishte ndërtuar ai të fortë’ dhe nuk kishte pësuar gjë. Le të vijmë tek një tjerët rast, shkolla ‘Emin Duraku’.

Çfarë thuhet në njoftimin e Bashkisë në korrik 2016? ‘Bashkia e Tiranës vijon aksionin e saj për riparimin e të gjitha objekteve arsimore, për t’i bërë gati për vitin e ri shkollor. Me nisjen e sezonit të ri arsimor, nxënësit e shkollës ‘Emin Duraku’ do të kenë gati palestrën e re dhe një sistem funksional ngrohjeje. Duke shfrytëzuar kohën e pushimeve të verës, Bashkia e Tiranës po riparon plotësisht palestrën e kësaj shkolle, si dhe po riparon sistemin e ngrohjes.

Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se palestra do t’i shërbejë jo vetëm nxënësve gjatë orëve të mësimit, por pasditeve do të qëndrojë e hapur edhe për banorët e njësisë 5.’ Pra në të dy rastet si në shkollën ‘Sami Frashëri’, ashtu edhe në shkollën ‘Emin Duraku’, kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj, ka deklaruar se ka qenë ai vet projektuesi, zbatuesi, inspektuesi e në fund ai që ka siguruar për cilësinë e lartë të punimeve dhe sigurinë në këto shkolla.

Çfarë provash më shumë kërkon Prokuroria ta thërras z. Veliaj dhe të shpjegojë të gjithë çka ndodhi në këto dy shkolla, por edhe në shkollën ‘Musine Kokalari’, ‘Ramazan Jarani’, ‘Petro Nini Luarasi’,  shkollën e Pezës etj. E njëjta situatë është në Durrës. Raportimet e mediave theksojnë se: ‘ndërtuar vetëm 4 vjet më parë, shkolla nëntëvjeçare ‘Naim Babameto’ në Durrës, me mbi 900 nxënës, po shembet nga fadromat e IKMT-së.

Dy kolonat kryesore të saj në pjesën ballore janë dëmtuar rëndë, ndërsa nxënësit janë detyruar të shkojnë në shkollën e mesme ‘Leonik Tomeo’, në oraret e pasdites’. Ndërkaq po nga shtypi dhe media vizive mësuam se shkolla e mesme ‘Leonik Tomeo’, ishte kthyer në qendër ndihmash. Kjo do të thotë se do të kërkoj një kohë të caktuar për ta rikthyer në gjendjen  e mëparshme.

Por edhe sikur shkolla të ishte gati, sa kohë do të rindërtohet shkolla e ndërtuar 4 vite më parë? Dhe më e rëndësishmja a ka ndonjë përgjegjësi, kryearti i bashkisë ndër vite Vangjush Dako, pasi shkolla është objekt publik, projekt, zbatimi, supervizimi, kolauidimi janë përgjegjësi e plotë e bashkisë dhe askujt tjetër?

Në datën 29 gusht 2019, shtypi dhe mediat jepnin këtë reportazh për shkollën Ramazan Jangozi në Thumanë: ‘Në njësinë administrative Thumanë, në Krujë po punohet me ritme të shpejta pune për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare ‘Ramazan Jangozi’.

Dëmtimet nga tërmetet dhe amortizimi i vazhdueshëm bënë që ambientet arsimore të dilnin jashtë funksionit. Për këtë Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve bashkë me bashkinë Krujë financuan projektin për rikonstruksionin e shkollës dhe ndërtimin e palestrës.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi theksoi se infrastruktura arsimore është prioriteti kryesor i bashkisë dhe ky investim është tjetër shembull. Dëmtimi i shkollës e kishte bërë të pamundur nisjen e vitit të ri shkollor, pasi kushtet jo vetëm që ishin të papërshtatshme, por kishte dhe rrezik shembje të mureve’.

Për këtë bashkë me Ministrinë e Arsimit, bashkë financuam këtë projekt fantastik, që ofron kushtet bashkëkohore në shtator’. Ky projekt arrin vlerën 58.785.179 lekë dhe parashikon ndërhyrje të plotë në godinën aktuale, sistem ngrohës, ndërtimin e palestrës dhe pajisje të reja shkollore.’

Çfarë duhet më shumë në këtë rast? Jo vetëm z. Bushi por edhe Ministrja aktuale e arsimit ka përgjegjësinë të na shpjegojnë pse shkolla ra për dy muaj? A ka kontrolluar Ministria e Arsimit, cilësinë e punimeve të shkollave që financon? Apo thjesht ka dhënë ca pare dhe përgjegjësinë ja ka lënë vetëm kryetarit të Bashkisë Krujë?

Edhe Besa nuk u afrua në asnjë shkollë. Edhe aty ku shkoi, ishin shkollat që nuk kishin pësuar gjë. Në këto shkolla ajo shkoi vetëm, pa kamera e frikësuar deri në palcë. Madje i është fshehur kamerave për ditë të tëra.

Besa që dilte e shpenguara me mikron ngjitur në gojë, tanimë nuk e di as vetë se ku gjendet, pse është në Shqipëri dhe se çfarë duhet të bëj. Ndoshta mendon largimin e saj pa lavdi e për më tepër me turp, prej vendit që e mbajti në majat më të larta, për merita që askush nuk e di e nuk i pa.

Në fund lind pyetja e shtruar që në krye të këtij shkrimi: Përse Kryeministri nuk i afrohet asnjë shkolle të rrënuar? Si ka mundësi që Komandanti shëtit ledh më ledh e fushë më fushë, pallat më pallat e çadër më çadër kontrollon hunjtë e çdo gardhi dhe nuk shkon në asnjë prej shkollave të rrënuara?

Sepse Komandanti e di, që ato janë skenë krimi, në të cilën ai ka pjesën e tij kryesore. Njerëzve të zgjedhur prej tij, të financuar prej tij, të lëvduar kaq shumë prej tij, ju shemb lavdia dhe ju doli horrlëku, korrupsioni, babëzia e maskarallëku në një ditë të vetme. Mburrjet ‘për shkollat cilësore, me mjedise të papara e të panjohura ndonjëherë’ e morën përgjigjen në fatkeqësinë e 26 nëntorit, të paralajmëruar që më 21 shtator. Kjo tregoi edhe njëherë se zbukurimi i fasadave nuk mban gjatë dhe është veçse një shkëlqim i rremë.

Tani të gjithë këta pushtetarë, nuk kanë asnjë alibi. Tërmeti jua nxori në shesh. Nuk mbetet gjë tjetër vetëm që prokuroria të kryejë detyrën. Për një mur pa leje, janë futur në burg dhjetëra njerëz. Për një duzinë shkollash të rrënuara,  ende pa ju tharë boja e rikonstruksionit dhe ndërtimit e firmosur dhe e vulosur nga shteti, askujt nuk i hyn një gjemb në këmbë.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...