Rëndësia e faktorit kohë

E mërkurë, 01 Prill 2020 18:14

Nga Veton SURROI

 

Nën hijen e madhe të COVID-19 vazhdon diplomacia për dialogun Kosovë-Serbi.

1.

Duket si rrëfim surreal që në ditën kur numri i të vdekurve në Itali prej COVID-19 kaloi dhjetë mijë, një që i afrohet numrit të të vrarëve në luftën e Kosovës më 1998-1999, të jepet lajmi se Mirosllav Lajçak, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi do ta fillojë punën më 2 prill. Vënë në një fjali duket çuditshëm, por fakti është vetëm se shpjegon që gjatë paralizës botërore me pandeminë dhe pasojat sociale të krizës më të madhe botërore jeta vazhdon. E me të edhe funksionet e detyrat e parashtruara.

Dhe, kjo nuk duhet të habitë. Për çdo ditë të izolimit tonë nëpër shtëpi, ekziston një apo tjetër lëvizje që ka lidhje me negociatat e ardhshme Kosovë-Serbi.

2.

Ja një ilustrim i thjeshtë, nga dy pika të ndryshme politike e gjeografike.

Prej fundit të vitit 2018 në ekipin e presidentit Trump është vënë bast se një çështje e politikës së jashtme, ku investimi (jo i madh) politik amerikan mund të japë rezultat, është ai i negociatave Kosovë-Serbi. Dhe, si pjesë e këtij vlerësimi ka pasur një lloj mobilizimi, fillimisht në State Department, e pastaj edhe me emërtimin e ambasadorit Grenell si të dërguar të veçantë për negociata. Në javët që i paraprinë pandemisë mund të jetë krijuar bindja se mund të arrihej me të shpejtë një marrëveshje, çfarëdo marrëveshje, mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë. Bindja duket të ketë qenë aq e fortë sa ndërsa në Kosovë merreshin masat ndaj pandemisë - e në SHBA me veprime jo shumë të mençura minimizohej rreziku nga ajo - në Kosovë u shfaq i fortë narracioni i shtyrë nga Hashim Thaçi dhe vartësit e tij në parti të ndryshme e medie, se ishte çështje ditësh e orësh kur kjo marrëveshje të nënshkruhej.

Natyrisht, në Amerikë janë zgjedhjet presidenciale, dhe po të mos ishte pandemia, një nënshkrim i një marrëveshjeje, çfarëdo marrëveshje mes liderëve politikë të Kosovës e Serbisë në Shtëpi të Bardhë do të ishte një plus i politikës së jashtme të presidentit aktual. Tashmë, kjo çështje është në frigorifer deri sa të kalojë pandemia.

Në pikën tjetër të globit është Kina, aty ku u iniciua COVID-19. Ky shtet, meqë përballoi më të keqen, tash po eksporton njohuritë e veta për mënyrën se si mundet epidemia. Shteti i parë evropian, i cili ka marrë ndihmën kineze, përfshirë këtu edhe epidemiologët, ishte Serbia. Dhe, presidenti serb zgjodhi që me pandemi të avancojë në lojën e tij politike. Duke kritikuar BE-në për mungesë ndihme e quajti prijësin kinez “vëlla” dhe doli ta presë avionin kinez me ndihma. Kur BE-ja dërgoi avion, me shumëfishin e ndihmave, nuk zgjodhi të dalë në aeroport, e as ta quajë veten si pjesë të “vëllazërisë evropiane”.

3.

Ç’është e vërteta, presidenti serb nuk mbeti vetëm në retorikën antievropiane. Atij ka kohë i është bashkëngjitur presidenti i Kosovës, pas dështimit të marrëveshjes së tyre në procesin e ndërmjetësuar nga Federica Mogherini. Kur përfundoi mandati i saj dhe mundësia e marrëveshjes me të, nga ana e presidentit të Kosovës u komunikua që Evropës nuk i besohet.

Në bazë të kësaj retorike, do të dilte që çështja e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet me ndërmjetësimin amerikan-kinez, kurdo që të dalim prej COVID-19. Por, kjo është e gabueshme, jo vetëm për shkak të faktit elementar gjeografik, se të dy vendet gjenden në Evropë. Është e gabueshme, sepse Kosova dhe Serbia nuk janë dhe nuk duhet të jenë pjesë e matjes amerikano-kineze të forcave të ndikimit, si paralajmërim i asaj që na pret. Kosova dhe Serbia janë në fakt pjesë e një pune të papërfunduar, bashkimit të Evropës në një hapësirë paqeje, bashkëpunimi e prosperiteti. Ky proces filloi më 1945 me ofertën historike të SHBA-së për një ombrellë sigurie dhe mjete zhvillimi me planin Marshall, që rezultuan me atë që e njohim sot si BE. Dhe ky proces duhet të zhvillohet më tutje me përfshirjen e tërë Ballkanit Perëndimor brenda kësaj hapësire. Është proces euro-amerikan.

Andaj, ndonëse të zënë me COVID-19, për Kosovën dhe Serbinë është me rëndësi të jashtëzakonshme që presidenti francez, Macron, dhe kancelarja Merkel ofrojnë që procesi negociator mes Kosovës dhe Serbisë, kurdo të jetë e mundur, të rifillojë me një takim simbolik, por edhe praktik në Paris mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë. Kjo u është komunikuar me shkrim Prishtinës dhe Beogradit.

4.

Çfarë do të ndodhë në ditët në vijim?

Këtë nuk e determinojnë elitat politike, por pandemia COVID-19. Ajo do të përcaktojë kur do të dalim prej karantinës dhe ajo do të përcaktojë se sa dëm ka bërë globalisht e në vendet tona veç e veç, në njerëz e ekonomi.

Mund të ndodhë që kur të dalim, të shohim se kryesimin e BE-së e ka marrë Gjermania dhe se fushata presidenciale amerikane ka hyrë në finale. Është vështirë e besueshme që të ketë njeri në Amerikë e Evropë, aq më pak këtej, që të përcaktojë se prioritet mbi prioritetet është që rifillojnë negociatat mes Kosovës e Serbisë. Por, mund të ketë hapësirë të mjaftueshme politike për të zhvilluar një kornizë më të mençur e të avancuar, të dakorduar mes diplomatëve amerikanë dhe evropianë për të ecur përpara.

Dhe, kurdo që të dalim, do të shohim se kemi dalë në një botë që duket pak ndryshe prej asaj kur hymë në karantinë. Posaçërisht Kosova, e cila përjeton dhe do të përjetojë që në të njëjtën kohë të zhvillojë luftë kundër COVID-19 dhe luftë politike për t’i mbrojtur kauzat e shpresës dhe të demokracisë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...