Genc Pollo: Panglosi dhe tre rekomandime legjislative

E Enjte, 02 Prill 2020 14:10

GENC POLLO*

Panglosi, një personazh grotesk por edhe simpatik i filozofit iluminist frëng Voltaire, ishte një dijetar që besonte se jetonte në botën më të mirë të mundshme dhe se gjithçka bëhej mirë vetvetiu. Edhe kur nxënësi i tij Candide i sillte në vëmendje tërmetin, përmbytjen, murtajën e dhunën njerëzore që ndodhnin para syve të tyre, Panglosi nuk e humbiste optimizmin sureal, por jepte një shpjegim sofist dhe ç’ishte më e keqja nuk vepronte për t’u mbrojtur nga fatkeqësia duke marrë në qafë veten dhe shpurën e tij. Me këtë personazh Voltaire parodizoi mjeshtërisht fatalizmin optimist me pasojë mosveprimin i cili në folklorin shqiptar deri diku ka ekuivalent gomarin që pëllet “bëje o Zot ëndërr” ndërsa po e shqyen ujku.

Druaj se nuk është politikisht korrekte t’a shkruaj, por edhe të mos e shpreh e kam vështirë, se për mua Panglosi është personazhi më i përafërt me të tërë ata shqiptarë e ndërkombëtarë të cilët me fjalime, deklarata e progres-raporte kanë proklamuar vitet e fundit progresin e pandalshëm të Shipërisë drejt adoptimit, brendësimit e zbatimit të vlerave e standarteve të Bashkimit Europian. Dhe atëherë kur realiteti fliste tjetërsoj si p.sh për drogën qeveritare apo kapjen e institucioneve, ata njëlloj si Panglosi, kur nuk e kalonin dot me heshtje komode, gjenin një artific që bënte hasha atë gjë që dynjaja e shihte açik.

 

Këtë parantezë e shkruajta mbasi Këshilli Europian, dmth shtetet anëtare të BE-së, konkluduan për 15 kushte të cilat duhen plotësuar para se përfaqësuesit e Shqipërisë të ulen në tryezë për negociatat e pranimit në Bashkimin Europian.

Kushtet nr.14 e 15 kërkojnë zgjidhjen e dy problemeve të krijuar mirëfilli nga qeveria e shumica parlamentare e saj në gjashtë muajt e fundit: 1) rregullimin e një ligji për pronat që dyshohet si mekanizëm arbitrar i qeverisë për t’ja marrë filanit pronën e për t’ja dhënë fistekut, ky i fundit si rregull oligark pranë pushtetit (Presidenti ndërkohë e ktheu ligjin në Kuvend); 2) të bëhen ligje që nuk cënojnë por promovojnë lirinë e medias e të fjalës.

Pa këto dy ynere të qeverisë numri i kushteve europiane do të mbetej 13, për të cilin numerologjia profetizon gjëra interesante. Por, përkundrejt optimizmit të panglosëve të shumtë, e për motive që s’kanë fare lidhje me “hapjen e derës së dhomës së pritjes të Europës”  këto dy pengesa u shtuan pothuaj artificialisht para finishit.

Nisur nga përvoja ime në Komisionin parlamentar për median gjatë legjislaturës së shkuar po hedh disa shënime e tre rekomandime si një kontribut modest për përmbushjen e kushtit nr.15, i cili nuk ka të bëjë vetëm me “hapjen e derës” por edhe, më e rëndësishme kjo, me mbrojtjen e një arritjeje thelbësore në këto 30 vjet.

Edhe pse po i shkruaj këto rradhë në kohë pandemie mbetem me besim se jeta vazhdon përtej covid19.

1- Thjesht abrogoni paketën ligjore anti-fjalë

Paketa ligjore anti-fjalë e miratuar nga shumica rilindiste nuk sjell asgjë pozitive në thelb; problemet që ajo pretendon të trajtojë në mediat online si pornografi me të mitur, terrorizëm apo cënim të sigurisë kombëtare, kurrë nuk janë trajtuar si urgjentë apo akutë nga qeveria. Edhe nëse ato janë apo bëhen shqetësim i tillë prokuroria i ka të gjithë instrumentat për të ndërhyrë, madje edhe menjëherë; prandaj dhe nuk ka arsye që kompetencat penale të saj t’i jepen Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) si tagër adminstrativ.

Më lart përshkrova versionin e fundit të ligjit; versionet e mëparshme, si nga teksti edhe nga retorika justifikuese e qeverisë, synonin haptazi zaptimin e medias online si bastion i fundit i gazetarisë investigative, i kritikës antiqeveritare e në përgjithësi i mendimit të pakonformuar me rilindizmën (për bastionet e zaptuara flasim më poshtë).

Një meritë gjithësesi i duhet njohur paketës anti fjalë: ajo mobilizoi si rrallëherë shoqërinë civile përfshi edhe OJF e ojëfistë të majtë kundër saj. Madje shoqatat e medias përveç kundërshtimit ndaj paketës u investuan konstruktivisht për një mekanizëm të vetë-rregullimit etik sipas praktikës së mirë botërore. Gjithashtu paketa i dha mundësi disa ndërkombëtarëve të Tiranës, që të angazhoheshin hapur e qartë për vlera europiane, gjë që publiku shqiptar e priste prej vitesh.

Aktualisht pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend të paketës rilindistët thonë se do presin opinionin e Komisionit të Venecias. Por ky opinion nuk ka ç’të thotë tjetër përveçse dy edhe dy bëjnë katër, gjë që e kanë thënë dhe përsëritur Këshilli i Europës e të tjerë. Madje dërgimi i paketës nga parlamentarët e Këshillit të Europës (vini re: jo nga institucionet shqiptare!) në Komisionin e Venecias për opinion u bë për të fituar kohë dhe për të ofruar një farë rrugëdalje se sa për të mësuar mbi  përputhjen e ligjeve me standartet. Efekt anësor i kësaj gjëje është mbingarkesa e Komisionit të Venecias me çështje shqiptare të politizuara por juridikisht të qarta; jo më kot diplomatë europianë po e quajnë atë me ironi “Komisioni i Tiranës”. Prandaj rrugëdalja më e nderuar është abrogimi një orë e më parë i kësaj pakete anti-fjalë që lipsej të mos ishte miratuar kurrë.

Klima pandemike nuk më ysht që pas kësaj katraure të bëj thirrje për dorëheqje të mujsharëve përgjegjës, përfshi këtu edhe zonjat, të cilat me bindje qorre, agresivitet verbal e gënjeshtra për institucionet europiane, i mbrojtën projektligjet para komisioneve parlamentare.

2- Sa më pak pronarë aq më e kapur media.

2013 nuk ishte vetëm viti i kalimit të pushtetit nga demokratët tek rilindistët,  por ai ndryshoi edhe një ekuilibër mediatik që ndonëse joperfekt i ndihmonte demokracisë. E kam fjalën për dy televizionet private me licencë kombëtare Klan e Top Channel që dominonin audiencën dhe që gjatë tetë viteve të qeverisë Berisha ishin rreshtuar njëri me pushtetin e tjetri me opozitën (dhe me bashkinë Tiranë). Mbas 2013 e deri më sot, të dy janë në istikamin e propagandistik të Ramës ashtu si dhe ca të tjerë. Ligji për mediat audiovizuale, për të cilin kam qenë ministër përgjegjës dhe që u miratua nga mazhoranca jonë në pranverën e 2013, parashikonte “kufizimin e përqëndrimit të pronësisë në media” ose që një pronar, individ apo familje, të mos zotëronte më shumë se 40%. Ky kufizim ishte i pakapërdishëm për mentalitetin shqiptar, ku “biznesi është i imi dhe me të bëj çfarë të dua”, por qëndronte si standard europian dhe i rekomanduar fuqimisht nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës, bazuar edhe në studime specifike mbi mediat në Shqipëri. Biznesmenët e medias (quajini edhe oligarkë nëse doni) që cënoheshin nga ky ligj e kundërshtuan por pa sukses.

Pas ndryshimit të pushtetit në vitin 2013 situata ndryshoi në favor të tyre: ata emëruan në krye të AMAs një ish punonjës e marionetë të tyre (e paprecedent në AMA e në çdo rregullator tjetër), tentuan përmes deputeteve rilindistë një amendament që abrogonte kufizimin por me këtë dështuan dhe vazhduan më  pas përmes vendimeve gjyqësore “të diskutueshme” duke arritur zbutjen e kufizimit. Por edhe me kufizimin e “cunguar”në fuqi, AMA e mazhorancës shpërndau licencat numerike tek po ai grusht biznesmenësh; në kundërshtim me ligjin dhe me shumicë të thjeshtë kur absolutisht duhej shumica e cilësuar. Kjo e agravoi edhe më keq përqëndrimin e pronësisë e pushtetin mediatik në dy duart e vjetra. Ky zullum përbën një abuzim me detyrën në rrethana rënduese dhe një rast të pastër për SPAK-un. Kundërshtimi i opozitës në komision ishte i prerë, sistematik madje edhe i zëshëm në një kohë kur buçisnin superskandale të tjerë. Ashtu si edhe plot institucione europiane OSBE/ODIHRit në raportin 2019, duke shkuar përtej ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, rekomandon   “amendimin e ligjit për median audiovizuale në mënyrë që të kufizohet efektivisht përqëndrimi i pronësisë në media”. Ky amendim duhet bërë një orë e më parë në kuadrin e reformës zgjedhore ose edhe më përpara nëse mundet.

3- Shpifja a fyerja jo më në Kodin Penal por vetëm në atë Civil

Prej dekadash shpifja apo fyerja konsiderohet në Europë si diçka që trajtohet si çështje civile: pra nëse i lënduari don t’a çojë shpifësin në gjyq, këtë e bën vetëm përmes një padie civile dhe jo më penale siç ka qenë vaktit. Për më tepër personat publikë me politikanët në krye duhet të jenë më të duruar me publikun edhe kur u bien kot në qafë. Këtë standart synoi mazhoranca e PD por opozita e PS, pa të cilën nuk arrihej shumica e cilësuar, e zvarriti me muaj e vite  debatin e duke ofruar një kompromis të paplotë në shkurt 2012: shpifja e fyerja  mbeteshin vetëm kundravajtje penale të cilat nuk dënoheshin më me burg por vetëm me gjobë të kripur.

Që Edi Rama ishte me zemër me normën e vaktit e tregoi qartë si kryeministër. Pa shumë siklet ai arriti të dënonte në gjykatë deputetë të opozitës për denoncim të  lidhjeve të qeveritarëve me kriminalitetin e oganizuar. Madje ai shkoi deri aty sa me propozim të tij personal (ministri i drejtësisë e refuzoi) t’i propozojë në 2015 Kuvendit kthimin e dënimit me burg të cilin PD e PS e kishin abroguar së bashku në 2012. Kundërshtimi i opozitës, i shoqërisë civile e i komunitetit ndërkombëtar e detyroi t’a tërhiqte projekligjin pa e dorëzuar mirë në Kuvend. E gjithe kjo retrospektivë më  çon vetëm tek një rekomandim: abrogimi pa u vonuar i shpifjes e fyerjes si kundravajtje penale (përkatësisht neni 119 e 120 i Kodit Penal).

*Ish ministër e deputet

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...