Beqir Ajazi i burgosur në vitin 1945 dhe fotografia që i kam bërë në qershor 2007 në sheshin “Skënderbej”, në pritje të ardhjes së presidentit Bush
Beqir Ajazi i burgosur në vitin 1945 dhe fotografia që i kam bërë në qershor 2007 në sheshin “Skënderbej”, në pritje të ardhjes së presidentit Bush
Nga Kastriot Dervishi
Sot është ditëlindja e 100 e një njërit prej të burgosurve politikë të Shqipërisë, gazetarit, shkrimtarit dhe nëpunësit, Beqir Ajazi, i ndarë nga jeta në Tiranë më 2 gusht 2017. Beqir Ajazi u burgos në moshën 24 vjeçare. Dashje pa dashje ai u bë një pikë lidhje dëshmuese midis brezit të vjetër që u burgos nga komunistët dhe brezit të pasviteve ’90, të cilit duhet t’i përcillte ato që kish mësuara nga ata. Përveç këtij misioni që Beqir Ajazi e kreu me sukses, vetë jeta e tij ishte një histori tjetër më vete, të cilën nuk e ndau nga misioni i parë që i vuri vetes.
Beqir Ajazi u lind në Dibër të Madhe më 20 korrik 1920, qytet ku ishte vendosur përkohësisht familja e tij për shkak të ngjarjeve në Shqipëri. Më 1928-1931 ndjek arsimin fillor në Prezë për ta vazhduar më tej më 1931-1934 në Ersekë. Më 1934-1949 ndjek Liceun Francez të Korçës. Me mbylljen e këtij liceu nga qeveria e kohës, në vitet 1939-1943 ndjek gjimnazin e Tiranës. U regjistrua student në Universitetin e Drejtësisë në Padova të Italisë, por vitet e vështira të luftës nuk do ia realizonin këtë ëndërr.
Në shtëpinë e tij në Prezë kanë qëndruar misionarët britanikë, ndërsa vetë Ajazi ishte pranë shtabit të Abaz Kupit këtë kohë. U arrestua më 14.10.1944 nga komunistët duke qenë një nga 300 të burgosurit e parë politikë të regjimit. Ai ishte brezi i parë i rinisë antikomuniste të luftës që provoi persekutimin komunist. I fundit i një brezi idealistësh. Provoi pushkatimin e babait, vrasjen e vëllait dhe persekutimin e egër komunist.
Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të Parë në Tiranë më 26.4.1945 e dënoi me 15 vjet burgim e punë të detyrueshme me arsyetimin se kishte “penguar luftën e popullit” dhe “sharë Stalinin”.
Punoi në kampe pune e së fundi u lirua nga burgu i Burrelit më 17.6.1954. Edhe pas daljes nga burgu qëndroi i fortë moralisht. Nuk e përkulën as presionet e regjimit dhe punët e vështira e të rënda që kreu. Për këtë arsye, u internua me nënën e vet, me vendimin nr.11, datë 13.11.1975 të Komisionit të Internim-Dëbimeve pranë Kryeministrisë bashkë me 132 persona të tjerë. Në përligjjen e vendimit thuhej se personat e internuar kishin pjesëtarë të familjeve të tyre të arratisur dhe se nuk mbanin qëndrim të mirë politik.
Ishte krenar se doli i papërlyer e i fortë nga koha e komunizmit. Vlerësonte moralin njerëzor e atë politik. Mbeti besnik i idealit mbretëror. E ëndërronte Shqipërinë të pastruar nga efektet e dëmshme të komunizmit, shtet të fortë, me ekonomi të qëndrueshme e me njerëz me moral e tradita.
Gjatë viteve të demokracisë, Beqir Ajazi ishte aktiv me artikuj në shtypin e shkruar si dhe me intervista e pjesëmarrje në aktivitete.
Në vitin 2000, Flori Slatina i botoi librin “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”, libër që u ribotua më vonë nga Shtëpia Botuese “55”. Ky libër është një dokument serioz e burim i çmuar informacioni për ngjarje të ndryshme të historisë së Shqipërisë dhe për errësirën komuniste. Në vitin 2002 u nderua nga presidenti i Francës me dekoratën “Kalorës të Urdhrit të Meritës”. Deri sa kishte mundësi, Beqir Ajazi nuk rreshti së shkruari me makinën e tij të shkrimit.