Avancimi bërthamor i Iranit po rrit shqetësimin e Izraelit

Diel, 17 October 2021 10:10

 

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere paralajmërojnë se po skadon afati për të arritur një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, zyrtarët izraelitë dhe analistët paralajmërojnë se Teherani është shumë pranë arritjes së kapaciteteve nukleare. Ish-Kryeministri izraelit Ehud Barak, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Izraeli duhet të rivlerësojë reagimin e tij. Njofton nga Jeruzalemi korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein.
Kur Kryeministri i ri izraelit Naftali Bennett u takua me Presidentin amerikan Joe Biden rishtazi në Uashington, të dy udhëheqësit thanë se Irani ishte në krye të axhendës së tyre. Bashkëpunimi amerikano-izraelit është jetësor, tha në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës ish-Kryeministri izraelit Ehud Barak.

“Duhet të takohemi me dyer të mbyllura me administratën amerikane, dhe pikë së pari të biem dakort për një gjuhë të përbashkët – se çfarë do të thotë “një arritje e rëndësishme”, cili është “pragu” i arritjes së statusit të një fuqie bërthamore, dhe çfarë do të thotë “armë bërthamore”. Dhe pastaj të sigurohemi se kemi të dhëna të mjaftueshme të zbulimit për të ditur se çfarë do të ndodhë. Dhe në vazhdim të qartësojmë masat – çfarë duhet bërë, në mënyrë të pavarur apo së bashku, në mënyrë të fshehtë apo preçize”, thotë zoti Barak.

Që kur ish-Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018, agjensia bërthamore e OKB-së, IAEA thotë se Irani ka shtuar pasurimin e uraniumit dhe ka ndaluar qasjen e inspektorëve ndërkombëtarë tek objektet e tij bërthamore.

Programi bërthamor i Iranit shkaktoi një paralajmërim të ashpër nga Kryeministri izraelit Naftali Bennett në fjalimin e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Programi bërthamor i Iranit ka arritur një pikë vendimtare dhe po kështu edhe toleranca jonë. Fjalët nuk i ndalin centrifugat. Ka njerëz nëpër botë që e shikojnë veprimtarinë bërthamore të Iranit si një realitet të pashmangshëm, si një gjë të kryer, ose thjesht janë lodhur duke dëgjuar për të. Izraeli nuk e ka këtë privilegj. Ne nuk mund të lodhemi. Ne nuk do të lodhemi. Izraeli nuk do ta lejojë Iranin të përftojë armë bërthamore”, tha në OKB kryeministri izraelit Bennett.

Agjensia bërthamore e OKB-së, IAEA, thotë se Irani ka filluar pasurimin e uraniumit në nivelin 60%, dhe faza pasuese e pasurimit në 90% do të jetë më e vështirë për t’u pikasur, thotë ish-Kryeministri Ehud Barak, i cili ka qenë më parë shef shtabi i ushtrisë izraelite dhe ministër i mbrojtjes.

“Pasurimi nga 60% në 90%, niveli që nevojitet për përdorime ushtarake, bëhet shumë shpejt. Mund të bëhet në hapësira të vogla të izoluara, mund të shpërndahet në zona civile dhe madje edhe mund të groposet në thellësinë e një miniere të vjetër. E humbasim kontaktin me operacionin. Duhet material i mjaftueshëm, qoftë edhe për disa armatime të pasuruara në nivelin ushtarak, të cilat sigurisht duhet t’i zhvillojnë në nivelin e duhur, apo t’i bëjnë pjesë e mbushjes së një rakete. Por ne, pjesa tjetër e botës, IAEA-ja në Vjenë, nuk do të jenë në gjendje ta kontrollojë apo inspektojë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Barak.

Gjatë viteve të fundit, mediat kanë njoftuar se Izraeli ka kryer disa sulme sabotazhi ndaj programit bërthamor të Iranit. Kohët e fundit, shefi i shtabit izraelit deklaroi se po përshpejtohen planet për një sulm ajror. Disa analistë thonë se veprimi izraelit duhet të koordinohet me fuqitë e tjera.

“Izraeli e ka opsionin ushtarak, por nuk është një zgjidhje e mirë pasi Izraelit nuk i duhet ta përshkojë i vetëm këtë rrugë. Izraelit i duhen dy gjëra – mbështetja strategjike dhe logjistike e Shteteve të Bashkuara, si dhe mbështetja politike e evropianëve, Britanisë, Francës dhe kështu me radhë”, i tha Zërit të Amerikës analisti për Iranin, Menashe Amir.

Zgjedhja e një presidenti të ri të vijës së ashpër në Iran, Ebrahim Raisi, ka shtuar shqetësimet e Izraelit për ambiciet bërthamore të Teheranit.

“Jam shumë i shqetësuar kur e mendoj Iranin me një ideologji kaq radikale, me një regjim të tillë qeverisës që kontrollohet vetëm nga konservatorë, krahasuar me ç’ishim mësuar në të kaluarën kur kishte zëra të ndryshëm në qeveri. Është shqetësuese... Dhe fakti që Irani është pranë arritjes së këtyre kapaciteteve, do ta ndryshojë situatën gjeo-strategjike në rajon”, i tha Zërit të Amerikës David Menashri, nga Qendra për Studime Iraniane në Universitetin e Tel Avivit.

Ish-Kryeministri Ehud Barak dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë gjithashtu shqetësohen se nëse Irani bëhet një vend bërthamor, kjo do të fillonte një garë armatimi në Lindjen e Mesme, duke e destabilizuar më tej këtë rajon të paqëndrueshëm

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...