Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi deklaroi sot në ‘Fax News’ se opozita do të vijojë me protestat dhe se nuk tërhiqet në kërkesat e saj që qeveria të largojë njerëzit e inkriminuar.
Deputeti demokrat u shpreh se qëndresa e opozitës do të vazhdojë në Kuvend ku po i mohohet e drejta e fjalës së lirë.
“Aksioni opozitar do të vazhdojë në Kuvend, tashmë janë të njohura format”, tha Boçi.
Ai theksoi se shumica e qytetarëve është e zhgënjyer dhe pakënaqësia e tyre duhet të reflektohet edhe në reagim.
Sa i takon negociatave, Luçiano Boçi deklaroi se PD nuk i ka ofruar një pakt maxhorancës sipas të cilit ajo do të jepte ndihmën e saj për negociatat nëse Rama do të largonte ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke shtuar se Basha ka lobuar për çeljen e negociatave.
“Nuk ka pakt, është kërkesa qytetare për të treguar se krimi luftohet dhe për ti treguar Europës që edhe vullneti I maxhorancës është që të largohet krimi nga niveli i lartë. Por nuk ka pakt se edhe Basha ka kërkuar që të hapen negociatat, nuk ka lidhje kjo që po bën PD në krahasim me atë që bënte PS për të bllokuar procesin e integrimit, dihen historitë epike me Griseldën dhe të tjera”, tha Luçiano Boçi.