Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka reaguar ditën e sotme, pas publikimit të raportit të Freedom House, ku ndër të tjera thuhej se zgjedhje e tij si president ka zbehur luftën ndaj korrupsionit.
Ka qenë, zëdhënësi i tij, Tedi Blushi, i cili përmes një reagim në emër të Presidentit, thotë se raporti i Freedom House është vënë në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.
Duke theksuar edhe një herë se zgjedhja e tij, është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe në një moment mjaft delikat, Meta shprehet se nëse Freedom House i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Reagimi i zëdhënësit të Metës:
Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.
Zgjedhja e Presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.
Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.
Në se Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House.
/55News.al/