Rama nuk rri dot pa u hakmarrë ndaj çdo të riu që proteston kundër tij. Policia e Tiranës ka proceduar 25 të rinj që morën pjesë në protestën e organizuar dje nga FRPD dhe LRI poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Dje rreth orës 18:30, dhjetëra të rinj u mblodhën para Ministrisë së Brendshme dhe më pas ecën në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa bënë thirrje për largimin e ministrit Xhafaj, por edhe Ramës.
Sipas Policisë, këta persona prishën rendin dhe qetësinë publike. Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime e grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 262/1 e 274 të Kodit Penal.
Të rinjtë e FRPD dhe LRI janë konfrontuar me policinë sot pasdite, gjatë marshimit të tyre drejt Kryeministrisë, ku ishin nisur për t’i dorëzuar biletën për në Kolumbi, Edi Ramës.
Sapo janë afruar pranë Kryeministrisë, me dhjetëra forca të pranishme të policisë kanë ndërhyrë, duke mos lejuar të rinjtë të protestojnë.
NJOFTIMI I POLICISE
Procedohen penalisht 25 shtetas për “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, si dhe për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
Më datë 11.06.2018, shërbimet e policisë të Komisariatit Nr.1, proceduan penalisht shtetasit :
- H. V., 27 vjeç, O. M., 28 vjeç, J. M., 22 vjeç, B. L., 30 vjeç, H. I., 32 vjeç, G. M., 35 vjeç, F. B., 23 vjeç, S. Sh., 35 vjeç, F. D., 23 vjeç, A. L., 28 vjeç, A. B., 34 vjeç, S. M., 28 vjeç, B. K., 28 vjeç, R. D., 31 vjeç, M. D., 21 vjeç, D. Z., 22 vjeç, S. V., 32 vjeç, A. N., 47 vjeç, E. M., 25 vjeç, Sh. B., 29 vjeç, G. N., 34 vjeç, L. H., 32 vjeç, K. M., 32 vjeç, A. D., 21 vjeç dhe F. K., (banues në Mamurras dhe Tiranë)
Këta shtetas, ditën e djeshme rreth orës 18:30, nga Ministria e Brendshme në drejtim të Kryeministrisë, kanë organizuar një tubim të paligjshëm dhe kanë vazhduar duke prishur rendin dhe qetësinë publike edhe pas lajmërimit të bërë nga ana e Policisë për shpërndarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime e grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 262/1 e 274 të Kodit Penal.