Ditën e sotme Shqipëria ka larguar nga detyra një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pasi rezultoi se ai kishte lidhje me botën e krimit. Shqipëria dëshiron hyrjen në BE dhe për këtë asaj i duhet të ndërmarrë një pastrim të madh. Vendi ka zgjedhur vetë ta bëjë këtë në mënyrë të plotë dhe rigoroze. Një skuadër ndërkombëtarësh është duke hetuar 800 gjykatës dhe prokurorë. Diçka e tillë nuk është parë kurrë më parë në Evropë. Ne shkuam të shikonim vetë nga afër në Tiranë se si korrupsioni po provohet të shkulet me gjithë rrënjë
Nga Bart Aerts
Në vitet 90 Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në botë. Ndërsa sot, teksa shëtit në rrugët e kryeqytetit, shikon menjëherë ndryshimin e madh të tij. Tirana është një qytet i pastër ku është këndshëm të qëndrosh. Vinçat e ndërtimit të shpërndara mbi qyteti gjenden mbi oborre zyrash, qendrash tregtare, shtëpish dhe mbi një stadiumi futbolli. Qyteti po gumëzhin. Ekonomia është gjallëruar.
Mbi të gjitha Tirana është një qytet ku banorët dhe turistët ndihen të sigurt në rrugë. Statistikat e përforcojnë ndjenjën e sigurisë. Kur bëhet fjalë për sigurinë publike, Tirana ka vlerësim shumë të mirë krahasuar me disa kryeqytete në Evropë. Por prapa fasadave të pastra fshihet krimi i organizuar dhe korrupsioni të cilat ende lulëzojnë. Përderisa krimi mbetet produkti kryesor i eksportit dhe korrupsioni një sporti kombëtar, hyrja në BE nuk do të ndodhë ditën e nesërme. Por Shqipëria ka vullnet të hekurt për t’u çliruar nga mëkatet e saj.
Vetting-u
Në muajin prill ata kanë filluar me procesin e vetting-ut përmes të cilit do të kalojnë 800 gjyqtarë dhe prokurorë. Një grup monitoruesish ndërkombëtar nga vendet anëtare të BE është duke kryer hetime të plota dhe është duke pyetur një nga një të gjithë magjistratët. Përpara fillimit të të ashtuquajturit “proces i vetingut”, 20 magjistratë dhanë dorëheqjen. As më pak dhe as më shumë një pranim faji. Njëzet gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë kanë kaluar deri tani në procesin e “vetingut”. Pothuajse gjysma e tyre rezultoi e korruptuar dhe i lejohet të gjejë një punë tjetër jashtë sistemit të drejtësisë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se një numër shumë i madh i magjistratësh i kanë investuar të ardhurat e tyre në prona të paluajtshme dhe në automjete, çfarë nuk korrespondon me pagat e tyre. Në arkat e tyre të kursimit ka para të cilat nuk mund të jenë kursyer prej vetë atyre. Argumenti se kanë një xhaxha bamirës në Amerikë, është përdorur ndërkohë kaq shpesh, saqë menjëherë është një tregues faji. Shumë prej tyre rezultojnë të kenë lidhje të ngushta me mafien shqiptare.
Qeveria dëshiron të vijojë edhe me tej me hapat e ndërmarra dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj është duke kryer reformat të cilat do ta bëjnë të pamundur në të ardhmen korrupsionin. Institucionet e reja duhet të formësojnë një sistem të pastër të drejtësisë. Për momentin, BE-ja është veçanërisht pozitive për përpjekjet shqiptare. Në qershor, shtetet anëtare evropiane njoftuan se negociatat e pranimit mund të fillojnë jo më herët se fundi i 2019. Deri atëherë – dhe natyrisht edhe në vijim – reformat do të vazhdojnë.
Vetëm lufta ndaj korrupsionit është e pamjaftueshme
Që vetë magjistratë nuk janë kaq të zellshëm ndaj këtij procesi, nuk përbën në fakt një argument. Dy shoqata magjistratësh i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të ankimuar “procesin e vetting-ut”. Ata kanë dyshime nëse janë duke u respektuar të drejtat e njeriut për magjistratët. Sidoqoftë ata shikojnë nevojën për ndryshim.
Disa vëzhgues janë skeptikë për shanset që Shqipëria ka për të qenë ndonjëherë zyrtarisht pjesë e familjes evropiane. “Ti mund të hedhësh në rrugë gjyqtarët e korruptuar, por gjithashtu duhet të ketë një ndryshim në mentaliteti”, thotë gazetari shqiptaro-holandez Vincent Triest. Tashmë për të rinjtë shqiptar simbole të suksesit janë tregtarët e drogës të majmur me pasuri dhe politikanët e korruptuar. “Shkollat dhe universitetet duhet ta thyejnë këtë pamje në mënyrë që të rinjtë të dinë se krimi apo korrupsioni nuk është mënyra me të cilën duhet të ecin”, – thotë Triest.
Sipas ambasadores së BE-së Romana Vlahutin, investimi tek siguria është një çështje (shqetësim) për të gjithë BE-në. “Në fillim të viteve 1990, në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi, kishte një thënie se Ballkani ishte oborri i pasmë i Evropës, por duke pasur parasysh sfidat në fushën e sigurisë për shkak të migracionit dhe krimit të organizuar, vendet e Ballkanit janë bërë oborri i parmë i saj. Me të vërtetë ti dëshiron që ky oborr të jetë i fortë, kështu që çdo investim në sigurinë në rajon është një investim në sigurinë e BE”
*VIDEON e plotë të dokumentarit mund ta shihni duke klikuar KETU