Në një ceremoni të organizuar ditën e sotme, busti i ish kreut të Kuvendit, Pjetër Arbnori është vendosur në hyrje të kësaj godine.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin të pranishëm, ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i shtetit Ilir Meta, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe shumë politikanë të tjera.
“Pjetër Arbnori ishte një personalitet politik i vendosur dhe i respektuar. Jeta vuajtjen ia derdhi lumë, kurse lumturinë ia dha me vonesë dhe ia mori shpejtë”, u shpreh kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ndërsa, një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe Besnik Mustafaj, si një nga njerëzit më të afërt të tij.
“Faleminderit zotni Pjetër që u ktheve në shtëpinë tënde, tani e mbrapa nuk do të na largohesh më. Ky Parlament do të mbetet shtëpia e patjetërsueshme e tij. Ai ishte një burrë i pjekur dhe i ditur, i aftë ta zgjedhë fjalën e duhur. Ishte pajtues, por jo në dëm të së vërtetës. Nëse do ulej në këtë sallë sot, do të ishte kundërshtar politik i Gramoz Ruçit. Por ai prapë për këtë bust do ta falënderonte atë”, tha Besnik Mustafaj.
Për të zbuluar bustin, kreu i Kuvendit ka ftuar Sali Berishën dhe një pjesëtare të familjes së tij.