Protesta për Teatrin dhe dy të papritura

Diel, 29 July 2018 15:04

NGA LINDITA KOMANI

Të papriturat e mrekullueshme janë ato që e bëjnë një protestë të vërtetë. Kaq kemi parë në këtë Shqipëri në gjithë këto vite protestash që përpiqen të manipulohen. Vetëm kur ato dalin nga duart e atyre që duan të fitojnë kapital politik prej tyre, ato janë realisht të mrekullueshme.
Dje ndodhën dy të papritura lidhur me protestën te Teatri. E para ndodhi pikërisht aty, në sheshin e Teatrit. Errësira kishte zbritur dhe edhe toni i fjalimeve kishte zbritur bashkë me të, një rutinë që po çohej deri në fund duke qenë se disa nga emrat që i kanë dhënë shpirt asaj në këto javë nuk po e merrnin ende fjalën. Nga larg u dëgjuan tringëllima e britma e muzikë. Ngjante si një protestë alternativë që po afrohej e po afrohej. Befas shihet në vrap e sipër aktori Alert Çeloaliaj që shkon drejt artistëve organizatorë të protestës për të lajmëruar se ç’po ndodhte. Kur pa u dhënë mirë lajmi me mikrofon, u panë ata, çiklistët e Critical Mass Tirana, protestuesit e palodhur të nismës që kërkon më shumë hapësirë për biçikletat në Tiranë dhe që e bëjnë këtë që prej 10 vitesh. Ata kanë qenë për kryetarin e bashkisë një justifikim i mjaftueshëm për të bërë ndërhyrje të rëndësishme në rrugët kryesore të Tiranës për të shtuar korsi biçikletash. Dhe ja pikërisht ata, me vrull e nën tingujt e grupit Troja, duke tringëllirë zilet e biçikletave, u bënë e papritura e parë e mrekullueshme e mbrëmjes. Ashtu siç i ka pas qejf kryetari i bashkisë njëherë vaktit që t’i bënte protestat, trendy, cool, të paharrueshme. Por ndryshe nga të tijat që ishin me laps e letër të programuara e të financuara me para të huaja, kjo ndodhi nga indinjata e qytetarëve që u bashkuan me qytetarë të tjerë në sheshin e Teatrit. Pa i paguar njeri.

E dyta e papritur ndodhi më vonë në një lokal shumë të frekuentuar në zonën e pedonales, ai që pikërisht sheh për nga rrënojat e Tiranës antike, ato që mund të ishin flijuar që në kohën kur u zbuluan, teksa u hap toka ku ato flinin, për të ngritur kullë mbi të. Me një shoqe, pjesë e nismës Critical Mass Tirana, u ulëm për një birrë për të pothuajse festuar arritjen e parë për Teatrin. Pikërisht në këtë lokal, duke parë përqark e duke sjellë në mend e në bisedë edhe sesa e stërmbushur me njerëz ishte Pedonalja ndërkohë që në anën tjetër te Teatrit Eksperimental zhvillohej protesta, ndodhi e papritura. Një djalë i ri kamarier, duke dëgjuar fjalët tona të indinjatës ndaj të rinjve që e marrin për të mirëqenë lirinë duke e keqkuptuar më së pari atë dhe duke e lidhur me lirinë e seksit dhe përgjithësisht të të bërit qejf e të shijuarit te jetës pa kufizime, ndërhyri e tha: Po ju dëgjoja. Nuk është tamam ashtu. Unë kam ardhur në protestë sa herë kam qenë turni i parë por sot jam turni i dytë. Nuk vija dot. Të rinjtë janë të manipuluar. Ti sheh 17-18 vjeçarë që përfshihen në parti politike dhe as nuk e dijnë se çfarë bëjnë. Pastaj të tjerë që rrijnë kot. Unë dua vetëm të iki. Studioj për inxhinjeri mekanike. I kërkova ndjesë menjëherë dhe e falenderova që na foli. Dhe po reflektoja me veten për si është ndarë aktualisht rinia, në rininë indiferente që mbush në mënyrë të turpshme lokalet pa iu bërë vonë që po digjet e nuk po piqet e nuk e kupton këtë, në rininë e angazhuar dhe të keqshfrytëzuar nga politika në mënyra të gjithfarësojshme deri edhe si kamikaze për aksione të shëmtuara, në rininë e angazhuar por njëkohësisht të zhgënjyer që vepron por nuk duket sepse është në qoshe, e paemër, e pashpresë dhe me sytë për nga jashtë.

Meqë në këtë kohë edhe po shkruaj për këtë temë në formë letrare, të dy keto të papritura përbënë deri më sot shenjat më të rëndësishme për mua që kjo protestë ka gjallërinë, spontanitetin e mrekullueshëm dhe vërtetësinë me vete që mund ta japë vetëm rinia e angazhuar dhe njëkohësisht e zhgënjyer dhe e indinjuar, përtej pjekurisë së fjalës e mendimit që mund ta japë intelekti i atyre që janë më të rritur e të arrirë në profesionet që bëjnë, përfshi këtu edhe artistët regjizorë e aktorë që nën presion por pa u përkulur e kanë vazhduar protestën dhe kjo jo vetëm në 2018 por që prej 20 vitesh. Aktorët e keqpërdorur, kryetari i bashkisë zgjodhi t’i vdiste dje. Fotot e tyre në paraqitjen që bëri në faqen e vet në Facebook, i vijëzoi me të bardha si bëhen kufomat e të vdekurve në skenat e krimit. Policët afrohen, nxjerrin mjetet e punës, shënojnë kufomat për të fiksuar formën e rrëzimit dhe prehjes së tyre përdhe dhe vazhdojnë me punën për të identifikuar vrasësit dhe për të çuar para gjyqit fajtorët. Kryetari i bashkisë edhe i vrau, edhe i shënoi kufomat dhe tani po i ekspozon si trofe fitoreje të vrarët nga pushteti. Kjo arrogancë, pandjeshmëri, tërbim prej pushtetari ndaj popullit të cilin refuzon ta dëgjojë e jo më t’ia respektojë vullnetin, e nxorri atë krejtësisht në skenë se si është në të vërtetë. Asnjë pemë që do të mbjellë nuk do të mbulojë dot vrasjen e Ardit Gjoklajt të mirë në landfill teksa përpiqej për vete e për motrën për të siguruar lekët për shkollë, tashmë qindra lejet e ndërtimit që ka lëshuar dhe përpjekjen e tij pa ndalim për ta shkatërruar teatrin. Para 15 vitesh ai ishte një djalë i ri që i thoshte"Mjaft" korrupsionit e paturpësive të mundshme të pushtetit me aspirata të qarta për të hyrë në politike dhe sot, vetëm 15 vite më vonë, ç’ka mbetur nga ai dhe shkëlqimi me të cilin u vesh e u paraqit para njerëzve? Të rinjtë me biçikleta i këndojnë këngën e grupit "Troja" jo larg nga ndërtesa e bashkisë:

-Demokraci! Demokraci! Demokraci! Demokraci! ...

Qysh thirret sistemi ku njerzt s'guxojnë me thanë atë që po menojnë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku gazetartë s'guxojnë me kallxu ç'ka po ndodhë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ligji vlen veç për ty?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku nuk ka hic Demokraci?

Qysh thirret sistemi ku kriminelet e udhëheqin një shoqni?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku n'modë janë xhipat me xhama t'zi?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku ta vjedhin votën e s'tlanë me kajtë?
-Demokraci! Demokraci!
Qysh thirret sistemi ku Demokracinë e kanë cu “te dajtë"?

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hase keq “Sharra ne Gozhde".
E ketë here fajin kujt me ia lanë?

-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit guxojnë me fole.
-Demokraci thirret sistemi ku ligji vlen për krejt njësoj.
-Demokraci thirret sistemi ku votën kërkush s' ta vjedh.
-Demokraci thirret sistemi ku njerëzit ma k'si kangë nuk knojnë.

REF.
O na shkoj jeta tu u ankue.
E shumë larg janë andrrat që jem tu i pa.
O na ka hasë keq “Sharra në Gozhdë".
E këtë herë fajin kujt me ia lanë?

Modifikuar më Diel, 29 July 2018 15:09
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...